Sulmuesi amerikan bleu pesë armë, edhe pse policia i kishte shkuar dy herë në shtëpi - NACIONALE

Sulmuesi amerikan bleu pesë armë, edhe pse policia i kishte shkuar dy herë në shtëpi

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Një burrë amerikan, i akuzuar të martën me shtatë akuza për vrasje pas hedhjes së më shumë se 70 plumbave në drejtim të pjesëmarrësve të një parade për Ditën e Pavarësisë afër Chicagos, kishte arritur që ligjërisht të blinte pesë armë, përfshirë një armë të gjatë të fuqishme, që e përdori në sulm, pavarësisht nga fakti se autoritetet ishin thirrur në shtëpinë e tij dy herë më 2019 për shkak të kërcënimeve për dhunë dhe vetëvrasje, tha policia.

Prokurori në Lake County, Eric Rinehart, tha se i dyshuari, nëse shpallet fajtor për akuzat për vrasje të shkallës së parë, do të dënohet me burgim të përjetshëm pa mundësi të lehtësimit. Ai premtoi se do të kërkohen edhe dhjetëra akuza të reja kundër të dyshuarit.

Një zëdhënës i Task-Forcës për Krime të Rënda në Lake County tha se i dyshuari, që u arrestua të hënën në mbrëmje, përdori një pushkë të ngjashme me atë të tipit “AR-15” për të hedhur mbi 70 plumba nga kulmi i një ndërtese komerciale në drejtim të një turme njerëzisht të mbledhur për ta shikuar paradën në Highland Park, vendbanim me rreth 30.000 njerëz në bregun e Liqenit të Michigan-it.

Viktima e shtatë vdiq të martën nga lëndimet. Rreth 40 të tjerë u plagosën në sulm. Zëdhënësi i Taks-Forcës, Christopher Covelli, tha se sulmuesi e kishte planifikuar sulmin për disa javë, raporton “Associated Press”.

Sulmi ndodhi më pak se tri vjet pas shkuarjes së policinë në shtëpinë e tij, pasi një anëtar i familjes i kishte lajmëruar autoritetet se ai po kërcënonte se do t’i vriste të gjithë në shtëpi. Covelli tha se policia kishte konfiskuar 16 thika, një kamë dhe një shpatë, port ha se nuk kishte ndonjë shenjë se ai kishte ndonjë armë atëherë, në shtatorin e vitit 2019.

Covelli tha se në prill të atij viti, policia i ishte përgjigjur thirrjes për një vetëvrasje në tentativë nga i dyshuari. Besohet se ai e bleu ligjërisht armën e përdorur në sulm në Illinois vitin e kaluar. I dyshuari kishte blerë gjithsej pesë armë, të cilat policia i gjeti në shtëpinë e babait të tij.

Hetuesit, që e morën në pyetje të dyshuarin dhe që i analizuan postimet e tij në rrjete sociale, nuk kanë përmendur ndonjë motiv për sulmin dhe nuk kanë gjetur ndonjë shenjë se ai i ka vënë në shënjestër viktimat në bazë të racës, fesë ose ndonjë statusi tjetër të mbrojtur, tha Covelli./Nacionale

Lajme të ngjashme