Sulmohet në shtëpinë e tij ambasadori i BE-së në Sudan, Aidan O'Hara
Kryediplomati i BE-së, Josep Borrell ka njoftuar se është sulmuar në shtëpinë e tij, ambasadori i BE-së në Sudan.
Ndërsa Borrell nuk ka zbuluar detaje nga sulmi, një zëdhënëse e BE-së ka thënë se ambasadori ishte “mirë”.
“Siguria e ambienteve diplomatike dhe stafit është përgjegjësi kryesore e autoriteteve sudaneze,”- ka shkruar Borrell në Twitter, e ndërsa nuk e ka përmenduar emrin e ambasadorit, dihet se ambasadori i BE-së në Sudan është Aidan O'Hara, një diplomat irlandez.
Para se të niste karrierën e tij në zyrën e jashtme të Irlandës në 1986, O'Hara ishte trajnuar si avokat në Dublin. Ndërsa, para se të transferohej në Sudan, ai ka qenë ambasador i BE-së në Xhibuti dhe ambasador irlandez në Etiopi dhe Sudanin e Jugut.
Duke folur për AFP-në, lidhur me rastin zëdhënësja e BE-së Nabila Massrali është shprehur se, "siguria e stafit është prioriteti ynë" dhe se delegacioni i BE-së nuk është evakuuar nga Khartoum pas sulmit.
Ajo ka shtuar se janë duke vlerësuar masat e sigurisë.
Ndërkohë, Borrell e ka cilësuar sulmin ndaj O'Hara një "shkelje e rëndë e Konventës së Vjenës" - një marrëveshje e Kombeve të Bashkuara (OKB) që përshkruan mbrojtjen e diplomatëve që punojnë në vende të tjera.
Kujtojmë se e hëna shënon ditën e tretë të luftimeve të Sudanit midis ushtrisë dhe një grupi paraushtarak të quajtur Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF).

