Sulmi ndaj bashkëshortit të Nancy Pelosit, çfarë dihet deri më tani? - NACIONALE

Sulmi ndaj bashkëshortit të Nancy Pelosit, çfarë dihet deri më tani?

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Sipas zyrtarëve të ligjit në San Francisko, burri që dyshohet se e ka sulmuar Paul Pelosin, bashkëshortin e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, pritet të akuzohet për krime të shumta, ndërsa do të dalë para gjyqit ditën e martë.

“Ne po koordinohemi ngushtë me partnerët federalë dhe lokalë të zbatimit të ligjit për këtë hetim. Ne do të paraqesim akuza të shumta për krime të hënën dhe presim që (i dyshuari David DePape) të gjykohet të martën. DePape do të mbahet përgjegjës për krimet e tij të tmerrshme,” ka shkruar në Twitter, prokurori i Qarkut të San Franciskos, Brooke Jenkins.

Çfarë dihet për sulmin

Sipas një burimi nga forcat e rendit, një ndërhyrës, i identifikuar nga policia si David DePape, 42 vjeç është përballur me 82-vjeçarin Paul Pelosi me një çekiç të premten në mëngjes, duke bërtitur: "Ku është Nancy? Ku është Nancy?”. Burimi ka thënë për CNN, se sulmuesi ishte përpjekur të lidhë Pelosin “derisa Nancy të kthehej në shtëpi”.

Bëhet e ditur se gjatë përballjes me sulmuesin, Pelosi kishte thirrur policinë duke lënë linjën e hapur në mënyrë që të dëgjohej biseda e tij.

Sipas shefit të policisë së qytetit, policia e San Franciskos, kishte hyrë në shtëpi rreth orës 2:27 të mëngjesit të së premtes, për të gjetur Pelosin duke luftuar me një çekiç me një burrë, i cili që atëherë është identifikuar si DePape. Sipas oficerëve, DePape kishte sulmuar me çekiç Pelosin para se të arrestohej.

Pas sulmit, Pelosi është dërguar në spital, ku sipas zëdhënësit të Nancy Pelosit, Drew Hammil, ai “i është nënshtuar një operacioni të suksesshëm për të riparuar një frakturë të kafkës dhe lëndime serioze në krahun dhe dorën e djathtë".

Motivi mbetet i panjohur

Autoritetet kanë bërë të ditur, se edhe i dyshuari ndodhet në spital me lëndime të lehta. E Ndërsa DePape nuk ishte i njohur për policinë, ai më parë kishte postuar meme dhe teori konspirative në Facebook në lidhje me vaksinat Covid-19, zgjedhjet e vitit 2020 dhe sulmin e 6 janarit në Kapitolin e ShBA-së.

Lidhur me hetimin për sulm, Policia e Kapitolit të ShBA-së ka bërë të ditur se është duke punuar bashkë me FBI-në dhe Policinë e San Franciskos.

Deri më tani, zyrtarët e zbatimit të ligjit nuk kanë dhënë motiv për sulmin, por shefi i policisë së San Franciskos William Scott, ka thënë në një konferencë shtypi se sulmi ishte "i qëllimshëm" dhe "jo një akt i rastësishëm".

Rritet frika nga dhuna politike në vend

Sulmi ndaj Paul Pelosit, ka shkaktuar një valë tronditëse në Uashington, me dënime të shumta nga udhëheqësit e kongresit, pasi pas sulmeve të 6 janarit, ky sulm ka nënvizuar edhe një herë frikën e dhunës politike drejtuar ligjvënësve.

Presidenti Joe Biden e ka përshkruar sulmin ndaj Paul Pelosit si "të neveritshëm", duke e lidhur drejtpërdrejt me rritjen e ekstremizmit të krahut të djathtë.

“Kjo është e neveritshme. Nuk ka vend në Amerikë - ka shumë dhunë, dhunë politike. Shumë urrejtje. Shumë vitriol”, ka thënë Biden. Ndërkohë edhe lideri i republikanëve të Senatit, Mitch McConnell, është shprehur "i tmerruar dhe i neveritur" nga raportet për sulmin.

Sulmi është dënuar edhe nga zëvendëspresidentja Kamala Harris, e cila ka thënë se sulmi ishte dëshmi e "gjërave të frikshme" që po ndodhin në politikë, në mbarë vendin.

Lajme të ngjashme