Rusia e shpall fundin e mobilizimit, ShBA-ja do t'i japë ndihmë të re ushtarake Ukrainës - NACIONALE

Rusia e shpall fundin e mobilizimit, ShBA-ja do t'i japë ndihmë të re ushtarake Ukrainës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Rusia tha të premten se e ka përfunduar procesin e thirrjes së rezervistëve për të luftuar në Ukrainë pas rekrutimit të qindra mijëra burrave për një muaj dhe pas dërgimit të më shumë se çerekut të tyre në fushëbetejë në një fushatë përçarëse, që ishte e para e këtij lloji që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara njoftuan se do t’i dhurojnë Ukrainës ndihmë të re ushtarake në vlerë të 275 milionë dollarëve. Në këtë ndihmë përfshihen armë, municione dhe pajisje nga rezervat e Pentagonit, duke e çuar në mbi 18.5 miliardë dollarë vlerën e përgjithshme të ndihmave të dhuruara nga Shtetet e Bashkuara për shtetin e përfshirë nga lufta.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Uashingtoni është duke punuar për ta furnizuar Ukrainën me kapacitete të mbrojtjes ajrore për të cilat ka nevojë. Dy njësi të sistemit të sofistikuar kundërajror, NASAMS, janë të gatshme për dërgim në Ukrainë muajin e ardhshëm.

Kryediplomati amerikan tha se vendi i tij po punon edhe me aleatët dhe partnerët për ta mundësuar dërgimin e sistemeve të tyre ajrore në Ukrainë, raporton agjencia “Reuters”.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se ai dyshon që Moska nuk është duke i dhënë fund rekrutimit të ushtarëve. Në adresimin e tij të mbrëmjes, ai tha se forcat ruse “janë aq dobët të përgatitura dhe të pajisura, aq brutalisht të shfrytëzuara nga komanda e tyre, saqë na lejon të supozojmë se së shpejti, Rusisë mund t’i nevojitet një valë e re e njerëzve për t’i dërguar në luftë”.

Mobilizimi përçarës ka ndikuar që dhjetëra mijëra burra të largohen nga Rusia dhe i ka shkaktuar protestat e para të qëndrueshme kundër luftës.

“Detyra e caktuar nga ju për (mobilizimin e) 300 mijë njerëzve është përmbushur. Nuk planifikohen masa të mëtejme”, i tha ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, presidentit Vladimir Putin në një takim të transmetuar në televizion në Kremlin. Ai tha se 82.000 ushtarë tashmë janë dërguar në zonën e luftimeve, ndërsa pjesa tjetër është duke u trajnuar./Nacionale

Lajme të ngjashme