Biden: Fjalët e Putinit për përdorimin e armëve bërthamore janë të rrezikshme - NACIONALE

Biden: Fjalët e Putinit për përdorimin e armëve bërthamore janë të rrezikshme

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, shprehu skepticizëm të enjten për komentin e homologut rus, Vladimir Putin, se ky nuk ka për qëllim që të përdorë një armë bërthamore në Ukrainë.

Gjatë një fjalimi të mbajtur të enjten, presidenti rus e minimizoi ngërçin e mundshëm bërthamor me Perëndimin, duke këmbëngulur se Rusia nuk ka kërcënuar me përdorim të armëve bërthamore dhe se vetëm i është kundërpërgjigjur “shantazhit” bërthamor nga udhëheqësit perëndimorë, raporton agjencia “Reuters”.

“Nëse ai nuk e ka për qëllim, pse vazhdon të flasë për të? Pse po flet ai për aftësinë për të përdorur një armë bërthamore taktike”, tha presidenti amerikan në një intervistë për “NewsNation”.

“Ai ka qenë shumë i rrezikshëm në atë se si i është qasur kësaj”, shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë, duke iu referuar retorikës së presidentit rus për armët bërthamore.

Putini dhe disa zyrtarë të tjerë rusë në mënyrë të përsëritur kanë thënë në javët e fundit se Rusia do të mund të përdorte armë bërthamore për ta mbrojtur integritetin e vet territorial. Këto deklarata në Perëndim janë interpretuar si kërcënime të tërthorta për përdorimin e armëve bërthamore për t’i mbrojtur pjesët e Ukrainës që Rusia pretendon t’i ketë aneksuar.

Në një intervistë më herët në televizionin CNN, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për siguri kombëtare, John Kirby, tha se është e mundshme që Rusia është duke e shqyrtuar përdorimin e të ashtuquajturës bombë e pistë dhe është duke ndërtuar një pretekst për ta fajësuar Ukrainën. Sidoqoftë, ai tha se Shtetet e Bashkuara ende nuk kanë parë ndonjë shenjë që tregon se domosdo bëhet fjalë për një skenar të tillë.

“Ata shpesh i fajësojnë të tjerët për atë që janë duke e bërë vetë ose që do ta bëjnë. Prandaj ne duhet ta marrim atë seriozisht”, tha Kirby për pretendimet e Putinit se Ukraina po planifikon që të përdorë një bombë të pistë.

“Do t’ju them gjithashtu se nuk jemi duke parë ndonjë shenjë, as sot, se rusët janë duke planifikuar që të përdorin një bombë të pistë ose edhe që të bëjnë përgatitje për këtë”, shtoi Kirby.

Lajme të ngjashme