Imazhet satelitore tregojnë shkatërrimin kulturor të Ukrainës - NACIONALE

Imazhet satelitore tregojnë shkatërrimin kulturor të Ukrainës

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Kombet e Bashkuara janë duke përdorur imazhe satelitore para dhe pas për të monitoruar sistematikisht shkatërrimin kulturor të shkaktuar në Ukrainë nga lufta e Rusisë, si dhe kanë njoftuar se brenda pak javësh do të lançohet edhe një platformë e gjurmimit.

Bëhet e ditur se, platforma që do të lançohet nga agjencia e kulturës e OKB-së, Unesco, do të vlerësojë ndikimin e luftës në arkitekturën, artin, ndërtesat historike dhe trashëgiminë tjetër kulturore të Ukrainës.

Një listë fillestare e përgatitur tashmë ka zbuluar dëme në 207 vende kulturore, duke përfshirë 88 objekte fetare, 15 muze, 76 ndërtesa me interes historik ose artistik, 18 monumente dhe 10 biblioteka.

Ndërsa, rajonet më të prekura janë në Ukrainën lindore dhe rreth kryeqytetit, me rajonin e Donetskut që ka 59 objekte kulturore të dëmtuara, të ndjekura nga Kharkiv me 51, Kiev me 30 dhe Luhansk me 25.

“Përfundimi ynë është se është keq dhe mund të vazhdojë të përkeqësohet”, ka thënë për gazetarët drejtoresha kulturore dhe e emergjencave të Unesco-s, Krista Pikkat, në një konferencë të mbajtur në Gjenevë.

“Trashëgimia kulturore nganjëherë synohet në mënyrë specifike pasi është thelbi i identitetit të vendeve,” ka shtuar ajo.

E për të krijuar platformën e gjurmimit, Unesco – organizata arsimore, shkencore dhe kulturore e OKB-së – ka bashkuar forcat me qendrën satelitore të OKB-së, Unosat.

Është njoftuar se një ekip i vogël ekspertësh i Unosat është ai që studion ndryshimin në fotot para dhe pas.

“Ne kryejmë analiza ditore mbi Ukrainën duke përdorur imazhe satelitore në mënyrë që të kemi një kuptim më të mirë të situatës në terren”, ka thënë për Agence France-Presse, Manuel Fiol, analist i lartë i imazheve.

Ekipi përputh imazhet, analizon shkallën e dëmtimit dhe është në gjendje të japë një dritare kohore në të cilën ka ndodhur dëmtimi.

Megjithatë, bëhet e ditur se platforma vetëm shënon lokacionet e prekura dhe nuk atribuon faj ndaj dikujt për dëmin e shkaktuar.

"Ne nuk jemi në biznes të themi se kush çfarë bëri dhe pse," është shprehur Pikkat.

“Përgjegjësia jonë kryesore është të sigurohemi që kemi informacion në dispozicion për vendet dhe situatën në të cilën ndodhen, për të qenë gati për rikuperim,” ka shtuar ai.

Është njoftuar po ashtu se deri më tani, lufta nuk ka dëmtuar asnjë nga shtatë vendet e trashëgimisë botërore në Ukrainë.

Lajme të ngjashme