Rusia pezullon pjesëmarrjen në marrëveshjen për eksportin e grurit të Ukrainës
Pas sulmeve me dronë në Sevastopol, ministria e mbrojtjes ruse ka njoftuar se vendi do të pezullojë pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen e eksportit të grurit të Ukrainës, të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara.
Për sulmet në qytetin e Krimesë, Moska ka fajësuar Kievin, duke thënë se për shkak të këtij “akti terrorist”, vendi do të pezullojë pjesëmarrjen në marrëveshje.
"Duke marrë parasysh aktin e terrorizmit të kryer nga regjimi i Kievit me pjesëmarrjen e ekspertëve britanikë më 29 tetor të këtij viti kundër anijeve të Flotës së Detit të Zi dhe anijeve civile të përfshira në sigurinë e "korridorit të grurit", pala ruse pezullon pjesëmarrjen e saj në zbatimin e marrëveshjeve për eksportin e produkteve bujqësore nga portet e Ukrainës”, thuhet në deklaratën e dhënë nga ministria ruse.
Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar ka mohuar pretendimin e Moskës se Britania e ka ndihmuar Ukrainën të planifikonte sulmet me dronë në Krime, duke thënë se Rusia "po hedh pretendime të rreme në një shkallë epike".
Kujtojmë se pas disa mujash negociatash, në korrik, ministrat nga Ukraina dhe Rusia nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe Turqia, me anë të së cilës Rusia u zotua të zhbllokojë portet në Detin e Zi për të lejuar kalimin e sigurt të grurit dhe farave vajore – disa nga eksportet më të rëndësishme të Ukrainës.
Marrëveshja ishte caktuar të skadojë muajin e ardhshëm me zyrtarët e Moskës që kanë hedhur shpeshë herë dyshime nëse ata do të zgjasin pjesëmarrjen e tyre.
Ditën e hënë, ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov u shpreh se kishte "shumë punë" për të bërë përpara se marrëveshja të mund të rinovohej, ndërsa Putin është shprehur gjithashtu, duke thënë se Moska do të mbyllë korridoret e eksportit nëse ato përdoren për të kryer "sulme terroriste".
Pavarësisht këtyre paralajmërimve, ministri i infrastrukturës i Ukrainës në fillim të këtij muaji shprehu optimizëm për marrëveshjen, duke thënë se "nuk ka dyshim se korridori i grurit do të vazhdojë të funksionojë pas 22 nëntorit".
Programi Botëror i Ushqimit ka vlerësuar se dhjetëra milionë njerëz kanë kaluar në një fazë të urisë akute si pasojë e luftës në Ukrainë, me zyrtarët perëndimorë të cilët e kanë akuzuar Rusinë për përdorimin e ushqimit si armë gjatë pushtimit të saj.
