Rusia lë pjesën më të madhe të Ukrainës pa energji, ngrohje e ujë
Dy ditë pas një serie shkatërruese të sulmeve me raketa ruse kundër infrastrukturës civile të Ukrainës, pjesa më e madhe e vendit ka mbetur pa energji elekrike, ngrohje e ujë.
Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitaly Klitschko, ka thënë se 60% e familjeve në qytetin me 3 milionë banorë nuk kishin energji elektrike dhe kishte ndërprerje të vazhdueshme në të gjithë vendin, pasi inxhinierët janë duke vazhduar përpjekjet për riparim të transformatorëve dhe linjave të transmetimit të dëmtuara apo shkatërruara nga sulmet.
Ndërkohë, presidenti Volodymyr Zelenskiy, ka njoftuar për rikthimin e shërbimeve bazë, po ka bërë të ditur se ka probleme me furnizimin me ujë në 15 rajone.
Komisioneri i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Türk, ka thënë se sulmet ruse në infrastrukturën kritike, që nga tetori kanë lënë të vrarë të paktën 77 njerëz.
“Miliona po zhyten në vështirësi ekstreme dhe kushte të tmerrshme të jetës nga këto goditje”, është shprehur Türk në një deklaratë, duke shtuar se, “kjo ngre probleme serioze sipas ligjit ndërkombëtar humanitar, i cili kërkon një avantazh konkret dhe të drejtpërdrejtë ushtarak për çdo objekt të sulmuar.”
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, nuk e ka mohuar se Rusia po sulmonte infrastrukturën energjetike të Ukrainës, por ka fajësuar Kievin me arsyetimin se nuk ishte përkulur ndaj kërkesave ruse, të cilat ai nuk i specifikoi.
Kujtojmë se, qeveria e Zelenskyt është zotuar të mos pranojë kushtet e paqes që lënë ndonjë territory ukrainas nën kontrollin e Rusisë.
Në një fjalim të dhënë, Zelensky është shprehur se sulmet nuk do të thyejnë vullnetin e popullsisë ukrainase.
“Së bashku kemi duruar nëntë muaj luftë në shkallë të gjerë dhe Rusia nuk ka gjetur një mënyrë për të na thyer dhe nuk do ta gjejë një të tillë”, ka thënë ai.
Është bërë e ditur po ashtu se, tre stacionet e energjisë bërthamore ende nën kontrollin e Ukrainës janë rikthyer në funksionim pas një mbylljeje të plotë të mërkurën.
