Sulmet izraelite lënë të vrarë 23 njerëz në Gaza, përfshirë një familje 10-anëtarëshe - NACIONALE

Sulmet izraelite lënë të vrarë 23 njerëz në Gaza, përfshirë një familje 10-anëtarëshe

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Sulmet izraelite në Rripin e Gazës gjatë natës mes së mërkurën dhe të enjtes lanë të vrarë 23 njerëz, përfshirë një familje 10-anëtarëshe, thanë zyrtarët shëndetësorë lokalë.

Ndërkohë, Kombet e Bashkuara e ngritën alarmin për ndikimin në rritje të bllokadës 6-javore të Izraelit ndaj hyrjes së ushqimit dhe furnizimeve të tjera në enklavë, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Një sulm në qytetin jugor të Gazës, Khan Younis, la të vrarë pesë fëmijë, katër gra dhe një burrë nga e njëjta familje. Të gjithë prej tyre kishin pësuar djegie të rënda, sipas spitalit “Nasser”, ku u pranuan trupat. Nga sulmet në veri të Gazës u vranë 13 njerëz, përfshirë nëntë fëmijë, sipas Spitalit Indonezian.

Ushtria izraelite thotë se mundohet që ta shmangë lëndimin e civilëve dhe për vdekjen e tyre e fajëson Hamasin për shkak të operimit të grupit në zona banimi. Nuk pati koment të menjëhershëm për sulmet më të reja.

Zyra humanitare e Kombeve të Bashkuara, e njohur si OCHA, tha se gati tërë popullsia prej më shumë se dy milionë njerëzish në Gaza tani varet për ushqim nga vetëm një milion shujtat e përgatitura në ditë nga kuzhinat bamirëse të mbështetura nga grupet e ndihmave.

Programet e tjera të shpërndarjes së ushqimit janë ndërprerë për shkak të mungesës së furnizimeve dhe OKB-ja e grupe të tjera ndihmash i kanë dërguar rezervat e tyre të mbetura te kuzhinat bamirëse.

Mënyra tjetër e vetme për të siguruar ushqim në Gaza është nga tregjet, por shumica nuk mund të përballojnë një gjë të tillë për shkak të rritjes së çmimeve dhe mungesave të shumta, që do të thotë se ndihmat humanitare janë burimi kryesor i ushqimit për 80 për qind të popullsisë, tha Programi Botëror i Ushqimit në raportin e vet mujor për muajin prill në lidhje me tregjet e Gazës./Nacionale

Lajme të ngjashme