Sullivani në Izrael: Lufta do të kalojë në fazë tjetër, të fokusuar në mënyra më precize
Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për siguri kombëtare, Jake Sullivan, tha të premten se ShBA-ja po e shtyn Izraelin që ta përqendrojë luftën në Gaza në shënjestrim të saktë të udhëheqësve të Hamasit e jo në bombardime të gjera e operacione tokësore. Megjithatë, ai nuk tregoi se kur do të ndodhë ky ndryshim i taktikave.
Izraeli deri më tani i ka rezistuar trysnisë ndërkombëtare në rritje për ta kufizuar ofensivën nga e cila janë vrarë gati 19 mijë palestinezë që nga sulmi i Hamasit në Izrael më 7 tetor, sipas shifrave të zyrtarëve palestinezë.
“Do të jetë një tranzicion në një fazë tjetër të kësaj lufte, një që është e përqendruar në mënyra më precize të shënjestrimit të udhëheqësisë dhe të operacioneve të udhëhequra nga inteligjenca”- tha zyrtari i lartë amerikan gjatë një vizite në Izrael, raporton agjencia “Reuters”.
Në mesin e shënjestrave kryesore të Izraelit janë Mohammed Deif, i cili e udhëheq krahun ushtarak të Hamasit dhe ishte organizator i sulmit të 7 tetorit, njeriu i tij i dytë në komandë, Marwan Issa, dhe udhëheqësi i Hamasit në Gaza, Yahya Sinwar.
Sullivani tha se e kishte diskutuar kohën e një tranzicioni të tillë gjatë takimeve me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, kabinetin e luftës dhe shefat ushtarakë të enjten.
“Se kur saktësisht ndodh kjo dhe nën çfarë kushtesh saktësisht, këto do të jenë nën diskutim të vazhdueshëm e intensive mes Shteteve të Bashkuara e Izraelit”- shtoi ai.
Pas takimeve, ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, tha se i kishte thënë Sullivanit se lufta do të zgjatë “më shumë se disa muaj”.
Prapa dyerve të mbyllura, Shtëpia e Bardhë ka bërë trysni për përfundim më të shpejtë të fazës me intensitet të lartë të luftës, kanë thënë zyrtarë amerikanë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, këtë javë paralajmëroi se opinioni ndërkombëtar po rrëshqiste kundër Izraelit për shkak të numrit të lartë të viktimave civile në Gaza.