Suedia thotë se është koha që Turqia ta fillojë ratifikimin e anëtarësimit të saj në NATO
Ministri i Jashtëm i Suedisë, Tobias Billstron, tha të mërkurën se Kuvendi i Turqisë duhet ta fillojë procesin e ratifikimit të anëtarësimit të Suedisë në NATO, sepse Stokholmi tashmë i ka përmbushur detyrimet sipas marrëveshjes me Ankaranë.
“Gjykimi ynë është që ne e kemi bërë atë që është pritur nga ne, tani është koha që kuvendi turk ta fillojë procesin e ratifikimit”- i tha Billstromi agjencisë “Reuters” në margjinat e një takimi në kuvend.
Sipas tij, Suedia mbetet me shpresë se do të mund të anëtarësohet deri në kohën e mbajtjes së samitit të NATO-s në Vilnius në mesin e korrikut, duke shtuar se nuk ka plan B.
Vitin e kaluar, Suedia dhe Finlanda e ndryshuan politikën e vjetër të pozicionimit neutral ushtarak dhe aplikuan për anëtarësim në NATO pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës.
Finlanda u anëtarësua në NATO në prill, por Turqia vazhdon që ta bllokojë anëtarësimin e Suedisë, duke i përmendur shqetësimet për sigurinë. Këtë muaj, Ankaraja tha se Suedia duhet t’i ndalojë protestat anti-turke në Stokholm para se ta marrë dritën e gjelbër për anëtarësim në aleancën e fuqishme ushtarake.
Turqia thotë se Suedia strehon anëtarë të grupeve militante që ajo i cilëson terroriste. Suedia rishtazi miratoi një ligj të ri për t’i vështirësuar financimin ose përkrahjen e grupeve terroriste, me të cilin qeveria suedeze thotë se i kompleton zotimet e marrëveshjes me Turqinë të nënshkruar në Madrid.
Përpos Turqisë, anëtarësimin e Suedisë në NATO nuk e ka ratifikuar ende as Hungaria. Budapesti është ankuar për kritikat e Suedisë ndaj pushtetit të kryeministrit Viktor Orban sa u përket demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Kryeministri hungarez tha muajin e kaluar se vendi i tij dhe Suedia duhet t’i përmirësojnë marrëdhëniet para anëtarësimit të shtetit të Evropës Veriore në NATO. “Marrëdhëniet politike mes Hungarisë dhe Suedisë janë të gabuara në mënyrë të tmerrshme. Ne nuk duam që të importojmë konflikte në NATO”- tha ai.
