Suedia premton miliarda krona më shumë vitin e ardhshëm, ja kush do të përfitojë
Qeveria e Suedisë të mërkurën premtoi ulje taksash, më shumë të holla për mirëqenie, mbrojtje dhe për sistemin e drejtësisë në buxhetin e vitin 2024, por tha se shpenzimet është dashur të kufizohen nga nevoja për ta mbajtur nën kontroll inflacionin.
“Suedia mbetet në një dimër ekonomik dhe në situatë të vështirë të sigurisë. Qeveria do t’i bëjë prioritet luftimin e inflacionit dhe përkrahjen për amvisëri dhe mirëqenie”- tha ministrja e Ekonomisë, Elisabeth Svantesson, raporton agjencia “Reuters”.
Në buxhetin e vitit të ardhshëm përfshihen mbështetja për personat me të ardhura të ulëta dhe zvogëlimi i taksave në karburante për t’i ndihmuar ata që janë prekur më së shumti nga rritja e çmimeve dhe e shkallëve të interesit.
Autoritetet lokale do t marrin 16 miliardë krona (1,43 miliard dollarë) më shumë në mënyrë që t’i mbajnë në funksion shërbimet e mirëqenies, ndërsa për pensionistët do të ketë ulje të lehtë të taksave.
Që nga ardhja në pushtet vitin e kaluar, koalicioni i qendrës së djathtë është ballafaquar edhe me mjedis të paqartë ndërkombëtar. Aplikimi i Suedisë për anëtarësim në NATO, që u bë pas fillimit të luftës së Rusisë në Ukrainë, ka ngecur, ndërsa djegia e kopjeve të Kuranit nga disa protestues ka nxitur zemërim në botën myslimane.
Ministrja S’anëson tha se shpenzimet për mbrojtje do të rriten vitin e ardhshëm, përderisa vendi lëviz drejt synimit për ta arritur cakun e NATO-s për ndarje të 2 për qind të prodhimit vendës bruto për fushën e mbrojtjes. Qeveria ka thënë më parë se rritja e përgjithshme e shpenzimeve do të jetë 27 miliardë krona suedeze më 2024.
Rritje të buxhetit do të ketë edhe për policinë dhe për sistemin e drejtësisë.
Shumica e masave, që pritet t’i rrisin shpenzimet e përgjithshme për rreth 39 miliardë krona vitin e ardhshëm, tashmë janë njoftuar.
