S’tuten rebelët Houthi, nisin dron ujor disa orë pas “mbledhjes së beve” nga ShBA-ja
Një dron ujor, i lëshuar nga territori i Jemenit që kontrollohet nga rebelët Houthi, iu afrua “disa milje” anijeve komerciale e atyre të forcave detare të ShBA-së në Detin e Kuq para se të shpërthente të enjten, vetëm disa orë pasi Shtëpia e Bardhë dhe 12 aleatë lëshuan një paralajmërim përfundimtar ndaj grupit të përkrahur nga Irani për t’i ndalur sulmet ose do të ballafaqohej me veprime të mundshme ushtarake.
Nënadmirali Brad Cooper, shef i operacioneve të forcave detare të ShBA-së në Lindje të Mesme, tha se kjo ishte hera e parë që rebelët Houthi kishin përdorur dron që lëviz mbi sipërfaqe ujore, që nga frikësimi i anijeve tregtare në Detin e Kuq pas shpërthimit të luftës Izrael – Hamas. Megjithatë, rebelët i kanë përdorur këta dronë në vitet e mëparshme, raporton agjencia “Associated Press”.
Fabian Hinz, ekspert i raketave dhe hulumtues në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, tha se dronët ujorë janë pjesë kyçe e arsenalit detar të rebelëve nga Jemeni dhe janë përdorur gjatë betejave të mëparshme kundër forcave të koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, që ka ndërhyrë në luftën e Jemenit. Ata janë përdorur rregullisht si dronë vetëvrasës që shpërthejnë në momentin e kontaktit me objektin e armikut.
Me gjasë, shumica e dronëve ujorë të rebelëve Houthi montohen në Jemen, por shpesh pajisen me pjesë përbërëse të prodhuara në Iran, si sistemet e kompjuterizuara të drejtimit, shtoi Hinz-i.
Në Kombet e Bashkuara, zëvendësambasadori i ShBA-së, Christopher Lu, tha në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të mërkurën se Irani i ka furnizuar rebelët Houthi me të holla e sisteme të avancuara armësh, përfshirë dronët, raketat me vetëdrejtim për sulme në tokë dhe raketat balistike. Ai tha, gjithashtu, se Irani ka qenë i përfshirë thellësisht në planifikimin e sulmeve të rebelëve Houthi ndaj anijeve komerciale në Detin e Kuq.
Lu-ja shtoi se Shtetet e Bashkuara nuk janë duke kërkuar ballafaqim me Iranin, por se Teherani duhet të bëjë një zgjedhje.
“Ai [Irani] mund ta vazhdojë drejtimin e tanishëm ose mund ta tërheqë përkrahjen e vet pa të cilën Houthi-t do të kishin vështirësi për t’i përcjellë dhe për t’i sulmuar në mënyrë efektive anijet tregtare që lundrojnë në vija lundrimi nëpër Detin e Kuq e Gjirin e Adenit”- tha diplomati amerikan.
Gazeta Nacionale të enjten raportoi për paralajmërimin përfundimtar të ShBA-së dhe të 12 aleatëve të saj ndaj rebelëve Houthi që ky grup t’i ndalë sulmet në Detin e Kuq ose do të ballafaqohej me veprime të mundshme ushtarake.