ShBA-ja e 12 aleatë “ua mbledhin betë” për herë të fundit Houthi-ve: Ndalini sulmet në Detin e Kuq - NACIONALE

ShBA-ja e 12 aleatë “ua mbledhin betë” për herë të fundit Houthi-ve: Ndalini sulmet në Detin e Kuq

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara dhe 12 aleatë lëshuan një paralajmërim përfundimtar të mërkurën për rebelët Houthi të Jemenit që t’i ndalin sulmet ndaj anijeve në Detin e Kuq ose të ballafaqohen me veprime të mundshme të shënjestruara ushtarake.

Militantët me bazë në Jemen kanë kryer të paktën 23 sulme si kundërpërgjigje ndaj sulmeve izraelite në Gaza që nga 19 dhjetori, raporton agjencia “Associated Press”.

Një zyrtar i administratës së presidentit Biden të ShBA-së refuzoi që të jepte hollësi rreth rregullave të një angazhimi të mundshëm, nëse sulmet vazhdojnë, por theksoi se rebelët e përkrahur nga Irani “nuk duhet të presin një paralajmërim tjetër” nga ShBA-ja dhe aleatët e saj.

Zyrtari amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti sipas rregullave të përcaktuara nga Shtëpia e Bardhë, foli pak pas lëshimit të një deklarate të përbashkët nga këto shtete më herët të mërkurën, me të cilën i dënuan sulmet dhe theksuan se durimi ndërkombëtar ishte i tendosur.

Deklarata u nënshkrua nga Shtetet e Bashkuara, Australia, Bahrejni, Belgjika, Kanadaja, Danimarka, Gjermania, Italia, Japonia, Holanda, Zelanda e Re, Singapori e Mbretëria e Bashkuar. Për më tepër, Shtetet e Bashkuara të mërkurën i bënë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të merrte masa kundër rebelëve Houthi dhe e paralajmëruan financuesin e tyre, Iranin, që duhej të bënte një zgjedhje rreth vazhdimit të përkrahjes ndaj rebelëve.

“Le të jetë tani e qartë porosia jonë: ne bëjmë thirrje për përfundim të menjëhershëm të këtyre sulmeve ilegale dhe për lirim të anijeve e ekuipazheve të ndaluara në mënyrë të paligjshme. Houthi-t do ta bartin përgjegjësinë e pasojave, nëse ata vazhdojnë që t’i rrezikojnë jetën, ekonominë globale dhe rrjedhjen e lirë të tregtisë në rrugët kritike ujore të rajonit”- thuhet në deklaratën e ShBA-së e aleatëve të saj.

Në shënjestër të sulmeve nga rebelët kanë qenë anijet tregtare që kalonin nëpër Ngushticën Babe l-Mandeb, zonë kritike që i lidh tregjet në Azi e Evropë.

Lajme të ngjashme