Stuhia e rërës në Irak lë shumë njerëz me probleme në frymëmarrje - NACIONALE

Stuhia e rërës në Irak lë shumë njerëz me probleme në frymëmarrje

1 javë më parë

nga NACIONALE

Më shumë se një mijë njerëz kanë pasur probleme me frymëmarrje, pasi një stuhi rëre përfshiu pjesë qendrore e jugore të Irakut, thanë zyrtarët irakianë.

Një zyrtar në provincën Muthanna raportoi tek agjencia e lajmeve AFP për të paktën 700 raste të atyre që i quajti ngulfatje, raporton televizioni BBC.

Në pamje të publikuara në internet shihen zona të mbulura nga një pluhur i dendur ngjyrë portokalli, ndërsa mediat lokale raportuan për ndërprerje të rrymës dhe pezullim fluturimesh në disa rajone.

Stuhitë e pluhurit janë të zakonshme në Irak, por disa ekspertë besojnë se ato po bëhen më të shpeshta për shkak të ndryshimeve klimatike.

Këmbësorët dhe policët vendosën maska për ta mbrojtur veten nga pluhuri dhe ekipet emergjente ishin në vend për t’u dalë në ndihmë njerëzve që kishin probleme me frymëmarrjen, sipas agjencisë AFP.

Më shumë se 250 njerëz u dërguan në spital në provincën Najaf, ndërsa të paktën 322 pacientë, përfshirë fëmijë, u dërguan në spitale në provincën Diwaniyah.

530 njerëz të tjerë raportohet se kishin probleme me frymëmarrjen në provincat Dhi Qar dhe Basra. Stuhia e rërës përfshiu provinca jugore me re ngjyrë portokalli që e zvogëluan dukshmërinë në më pak se një kilometër.

Autoritetet u detyruan që të mbyllnin aeroporte në provincat Najaf dhe Basra.

Sipas shërbimeve lokale të motit, kushtet pritet të përmirësohen gradualisht të martën në mëngjes.

Iraku është në listën e OKB-së si njëri nga pesë shtetet më të ndjeshme ndaj ndryshimeve klimatike, pasi ballafaqohet rregullisht me stuhi rëre, vapë të madhe dhe mungesë uji./Nacionale

Lajme të ngjashme