Studim: Përdorimi i Ozempic-ut lidhet me më pak takime me mjekun shkaku i duhanit
Duhanpirësit me diabet të tipit 2, që ishin duke e përdorur ilaçin Ozempic, kishin më pak takime mjekësore të ndërlidhura me duhanin dhe më pak ndërhyrje për t’u ndihmuar që ta linin cigaren se ata që përdornin ilaçe të tjera kundër diabetit, sipas një studimi të të dhënave shëndetësore elektronike, që u publikua të hënën.
Një vit pas fillimit të trajtimit, përdoruesit e Ozempic-ut me një diagnozë të mëparshme të çrregullimit nga përdorimi i cigares kishin deri në 32 për qind më pak gjasa për ta diskutuar përdorimin e duhanit me një ofrues të kujdesit shëndetësor se ata që merrnin ilaçe të tjera për diabet. Kjo qëndronte dhe në krahasim me ata që merrnin ilaçe të klasës së njëjtë, të njohur si agonistë të receptorit GLP-1, raportuan hulumtuesit në “Analet e Mjekësisë Interne”, raporton agjencia “Reuters”.
Ata gjithashtu kishin deri në 68 për qind më pak gjasa për të marrë përshkrime për ilaçe për lënien e duhanit dhe deri në 21 për qind më pak gjasa për të pranuar konsultime për ndërprerjen e duhanpirjes.
Të gjeturat u nxorën nga të dhënat shëndetësore elektronike të gati 229 mijë pacientëve, përfshirë 6 mijë përdorues të ilaçit Ozempic.
Hulumtuesit bënë thirrje për zhvillimin e testimeve mjekësore për ta vlerësuar potencialin e përbërësit aktiv të Ozempic-ut, semaglutida, për përdorim në lënien e duhanit për t’i mbështetur të gjeturat e këtij studimi të sponsorizuar nga Institutet Kombëtare të Shëndetit në ShBA.
Ata theksuan se raportet e mëhershme që kishin sugjeruar dëshirë të zvogëluar për të pirë duhan te pacientët e trajtuar me semaglutidë, me gjasë e ndërlidhur me pengimin e efekteve të nikotinës që krijojnë varësi në tru. Të njëjtin përbërës aktiv e ka edhe ilaçi i quajtur “Wegovy”, i cili përdoret për humbje peshe dhe është bërë shumë i popullarizuar.
Përderisa zvogëlimi i vërejtur në takimet mjekësore në lidhje me çrregullimet që kanë të bëjnë me duhanin mund të sugjerojë pakësim të rasteve të duhanpirjes ose rikthimit në duhanpirje, ai “gjithashtu mund të pasqyrojë skenarë të tjerë, si gatishmëria e pakësuar për të kërkuar ndihmë që të lihet duhani”, pranuan hulumtuesit.
Klasët e ilaçeve për diabet që u analizuan në studim përfshinë insulinën, metforminën, inhibituesit DPP-4, inhibituesit SGLT-2, sulfonilureat, tiazolidinedionet dhe GLP-1 të tjerë përpos Ozempic-ut./Nacionale