Studentja saudite dënohet me 34 vjet burg për përdorimin e Twitter-it - NACIONALE

Studentja saudite dënohet me 34 vjet burg për përdorimin e Twitter-it

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Arabia Saudite ka dënuar një studente të Universitetit të Leeds me 34 vjet burgim për shkak të llogarisë së saj në Twitter dhe për ndarjen e postimeve të shkruara nga disidentë dhe aktivistë.

Sipas Iniciativës së Lirisë jofitimprurëse të ShBA-së, e cila i mbron të burgosurit e pafajshëm në rajon, dënimi i dhënë për Salma al-Shehab është dënimi më i gjatë i njohur që i është dhënë një aktivisteje për të drejtat e grave në Arabinë Saudite.

The Independent shkruan se, 34-vjeçarja, e cila ka dy fëmijë të vegjël, u arrestua në janar të vitit të kaluar gjatë një udhëtimi në shtëpi për të parë familjen e saj.

Studentja e doktoraturës fillimisht ishte dënuar me gjashtë vjet burg, por Gjykata e Specializuar Penale e vendit i’a ka rritur dënimin të hënën pas një apeli kundër dënimit të mëparshëm që kishte.

Sipas dokumenteve të gjykatës, al-Shehab mori edhe 28 vjet burg shtesë për "ndihmë ndaj atyre që kërkojnë të shkaktojnë trazira publike dhe të destabilizojnë sigurinë civile dhe kombëtare përmes llogarive të tyre në Twitter".

Arabia Saudite gjithashtu i ka dhënë asaj një ndalim udhëtimi 34-vjeçar, i cili do të fillojë të zbatohet sapo të dalë nga burgu. Sipas kushteve të dënimit të saj të ri, zonja al-Shehab do të lejohet të udhëtojë përsëri jashtë vendit vetëm nëse jeton deri në moshën 102-vjeçare.

Duke folur për The Independent, një zëdhënës i Universitetit të Leeds tha se: “Ne jemi thellësisht të shqetësuar për këtë zhvillim të fundit në rastin e Salma-s dhe ne po kërkojmë këshilla nëse mund të bëjmë ndonjë gjë për ta mbështetur atë.”

Në anën tjetër, Hala Dosari, një aktiviste saudite, tha se dënimi ishte "irracional, zemërthyes dhe katastrofik për qindra gra të ndaluara ose që do të arrestoheshin me akuza të ngjashme për mbështetje të të drejtave dhe lirive”.

“Kjo reflekton gjithashtu një pasiguri të shtuar të regjimit, brenda dhe jashtë vendit,” shtoi ajo.

Ndërsa, Khalid Aljabri, një saudit që jeton në mërgim, tha për The Guardian se dënimi i zonjës al-Shehab ishte pjesë e goditjes "të pamëshirshme" të princit të kurorës Mohammed bin Salman ndaj disidencës.

“Dënimi i saj synon të shkaktojë tronditje brenda dhe jashtë mbretërisë,” tha ai.

Dënimi ndaj studentes vjen menjëherë pasi presidenti amerikan Joe Biden u kritikua për udhëtimin në Arabinë Saudite për të takuar princin e kurorës dhe babanë e tij, mbretin Salman bin Abdulaziz.

Lajme të ngjashme