Stoltenberg: Vendet e NATO-s po e shtojnë prodhimin ushtarak, gati që të vazhdohet përkrahja ndaj Ukrainës - NACIONALE

Stoltenberg: Vendet e NATO-s po e shtojnë prodhimin ushtarak, gati që të vazhdohet përkrahja ndaj Ukrainës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha në një intervistë për Radion “Evropa e Lirë” se anëtaret e aleancës janë duke e shtuar prodhimin e furnizimeve ushtarake për t’u siguruar që NATO-ja të mund ta vazhdojë përkrahjen ndaj Ukrainës në luftën e saj kundër pushtimit rus.

“Sfida kryesore është që kjo luftë tash është bërë luftë e gërryerjes, që do të thotë se beteja e logjistikës ka të bëjë me dërgimin e municionit, armëve dhe furnizimeve në vijat e frontit”- tha ai.

Duke folur në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel para takimit të ministrave të Jashtëm të martën, Stoltenbergu tha se në fillim të luftës, furnizimi i Ukrainës me ndihma po i shteronte rezervat e aleancës.

“Prandaj tani edhe po punojmë fort duke e shtuar prodhimin, në mënyrë që të mund të sigurohemi se mund ta vazhdojmë përkrahjen ndaj Ukrainës, sepse kjo është tepër e rëndësishme që të vazhdohet”- shtoi ai.

“Do të ishte tragjedi për Ukrainën nëse presidenti Putin fiton, por gjithashtu e rrezikshme për aleatët e NATO-s”- shtoi sekretari i aleancës.

Stoltenbergu tha se porosia e tij për anëtaret e NATO-s është: “Ne duhet ta përkrahim Ukrainën, sepse kjo është në interesin e sigurisë sonë për të treguar se presidenti Putin nuk do të fitojë në Ukrainë.”

Duke folur për zhvillimet e tanishme në fushën e betejës, sekretari tha se e tërë bota ishte e ngazëlluar me cilësinë, guximin dhe vendosmërinë e forcave ukrainase.

“Dhe ajo që e shohim është që trupat ruse – ka moral të ulët, pajisjet janë shpesh të këqija, trajnimi nuk është shumë mbresëlënës”- shtoi ai.

“Ajo që do të donim ta shihnim është, natyrisht, Ukraina duke qenë e aftë për të çliruar më shumë tokë, për t’i shtyrë ushtarët e presidentit Putin dhe pastaj kjo mund t’i krijojë kushtet për një lloj bisedimesh”- tha Stoltenbergu.

“I përket Ukrainës që të vendosë se cilat janë kushtet e pranueshme për bisedime, por ajo që e dimë është që ajo që ndodh në tavolinën e bisedimeve është në mënyrë të pandashme e lidhur me fuqinë e fushës së betejës”- shtoi më tej zyrtari i lartë i NATO-s.

Kur u pyet nëse beson që Perëndimi do ta vazhdojë përkrahjen ndaj Kievit, përderisa lufta po vazhdon, sekretari tha: “Ne jemi gati që ta përkrahim Ukrainën aq gjatë sa të jetë e nevojshme.”

Lajme të ngjashme