Stoltenberg: NATO-ja nuk do të lejojë që Putini ta fitojë këtë luftë - NACIONALE

Stoltenberg: NATO-ja nuk do të lejojë që Putini ta fitojë këtë luftë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të premten se aleanca nuk do të lejojë që Rusia ta fitojë luftën në Ukrainë, sepse, sipas tij, kjo do të ishte tragjedi.

Duke folur para gazetarëve rrugës për në Konferencën e Mynihut për Siguri, sekretari Stoltenberg e përsëriti përkrahjen e aleancës për Ukrainën “aq gjatë sa të jetë e nevojshme” dhe theksoi se kjo luftë e vë në pah rëndësinë e bashkëpunimit ushtarak mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës.

“Ne nuk do ta lejojmë presidentin Putin që ta fitojë këtë luftë. Do të ishte tragjedi për Ukrainën, por gjithashtu shumë e rrezikshme për ne”- tha ai.

Zyrtari i lartë shtoi se aleanca “e përcjell së afërmi” shtimin e bashkëpunimit ushtarak mes Rusisë dhe Kinës, përderisa “ato ushtrojnë së bashku, bëjnë patrullime detare e ajrore së bashku”.

“Lufta në Ukrainë tregon që siguria nuk është rajonale, është globale”- tha ai, duke pohuar se nëse Rusia fiton në Ukrainë, kjo do të ndikonte edhe në politikën e jashtme dhe të sigurisë të Kinës.

Pas vizitës në Turqi të enjten, Stoltenbergu e quajti tërmetin në këtë vend “fatkeqësia më e madhe natyrore në territorin e NATO-s që nga themelimi i NATO-s”.

Ai vlerësoi se aleatët e kësaj organizate kanë ofruar përkrahje domethënëse, si ekipe të shpëtimit, ndihma humanitare, strehim të përkohshëm e transport ajror strategjik.

Lajme të ngjashme