Zelensky: Është e qartë se Ukraina nuk do të jetë ndalesa e fundit e Putinit - NACIONALE

Zelensky: Është e qartë se Ukraina nuk do të jetë ndalesa e fundit e Putinit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duke folur me video-lidhje për Konferencën e Mynihut për Siguri, tha se është e qartë se Ukraina nuk do të ishte ndalesa e fundit e pushtimit nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Zelensky paralajmëroi se homologu i tij rus do ta vazhdonte pushtimin në vende të tjera të ish-Bashkimit Sovjetik. Sipas tij, përderisa Perëndimi po e diskutonte furnizimin e Ukrainës me tanke, Kremlini ishte duke menduar për mënyra se si “t’ia zinte frymën” Moldavisë, raporton gazeta “The Guardian”.

“Është e qartë se Ukraina nuk do të jetë ndalesa e tij e fundit. Do ta vazhdojë lëvizjen e tij gjatë pa u ndalur... përfshirë të gjitha shtetet e tjera që, në një pikë në kohë, ishin pjesë e bllokut sovjetik.

Ai gjithashtu tha se e vlerëson si të ulët mundësinë e bashkimit të Bjellorusisë në anën e rusëve për pushtimin e vendit të tij. Presidenti bjellorus, Aleksander Lukashenko, ka thënë se vendi i tij do të përfshihej në luftë krahas Rusisë, vetëm nëse Bjellorusia do të sulmohej.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se aleatët që mund t’i dhurojnë tanke ukrainas, duhet ta bëjën këtë gjë tani dhe se vendi i tij do ta lehtësojë marrjen e këtij vendimi duke ofruar logjistikë e rimbushje të rezervave e duke i trajnuar ushtarët ukrainas.

“Për mua, ky është një shembull i llojit të udhëheqësisë që njerëzit mund ta presin nga Gjermania”- tha kancelari Scholz.

Ai shtoi se Gjermania do ta vazhdojë vendosjen e një baraspeshimi mes ofrimit të përkrahjes më të mirë të mundshme për Ukrainën dhe shmangien e një eskalimi të paqëllimshëm mes NATO-s dhe Rusisë.

Ndërkohë kryeministri holandez, Mark Rutte, tha se grupi i parë i tankeve “Leopard-1A5”, të cilat Holanda, Danimarka dhe Gjermania do t’i blejnë për Ukrainën, do të dhurohen sa më shpejt që është e mundshme.

Ai shtoi se Holanda është e përgatitur për të shërbyer si vend pritës i një tribunali të ri për ta gjykuar pushtimin rus të Ukrainës, por se nevojitet më shumë përkrahje që kjo të ndodhë.

Lajme të ngjashme