Stoltenberg: Fitorja e Putinit do të ishte rreziku më i madh - NACIONALE

Stoltenberg: Fitorja e Putinit do të ishte rreziku më i madh

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një konferencë të përbashkët me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të mërkurën se rreziku më i madh do të ishte fitorja e presidentit rus, Vladimir Putin, në luftën e Ukrainës.

“Në Evropë është duke ndodhur një luftë e plotë dhe nuk ka opsione pa rrezik për aleatët e NATO-s, por rreziku më i madh është nëse presidenti Putin fiton”- tha Stoltenbergu ditën e dytë të samitit të aleancës, që po mbahet në Vilnis të Lituanisë, raporton televizioni CNN.

“Saktësisht për këtë arsye, është e rëndësishme që aleatët e NATO-s ta përkrahin Ukrainën”- shtoi ai.

“Do të jetë tragjedi për Ukrainën, nëse presidenti Putin fiton, por do të jetë e rrezikshme për ne, do të na bëjë më të prekshëm”- tha më tej sekretari Stoltenberg.

Në anën tjetër, presidenti Zelensky tha se diskutimet e tij me aleatët në samit kanë qenë të mira, por e theksoi qëllimin kryesor të tij – pranimin e Ukrainës në aleancë.

“Mund të deklarojmë se rezultatet e samitit janë të mira, por nëse do të pranonim një ftesë, kjo do të ishte optimale”- tha presidenti ukrainas.

“Ne e vlerësojmë shumë pranimin se Ukraina nuk do të ketë nevojë për plan të aplikimit për anëtarësim rrugës për në NATO. Do të doja që të kishte sukses në këtë samit për secilin – për ushtarët tanë, për qytetarët tanë, për fëmijët tanë, për të gjithë”- shtoi ai.

NATO-ja ia ka lehtësuar Ukrainës rrugën drejt anëtarësimit, por nuk i ka ofruar ndonjë kornizë kohore për arritjen e këtij qëllimi.

Zelensky shtoi se vendi i tij ka nevojë për armë me rreze të gjatë dhe se ai do ta ngrejë këtë çështje në samit.

Lajme të ngjashme