Rusia e sulmon Kievin me dronë për natën e dytë radhazi - NACIONALE

Rusia e sulmon Kievin me dronë për natën e dytë radhazi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Rusia kreu një valë të sulmeve me dronë kamikazë ndaj Kievit dhe rajonit të tij për natën e dytë radhazi, tha të mërkurën ushtrua ukrainase, disa orë para se presidenti i vendit, Volodymyr Zelensky, të takohet me udhëheqësit e NATO-s në samitin e aleancës që po mbahet në Lituani.

Sipas të dhënave preliminare nga ushtria ukrainase, nuk pati raportime të menjëhershme për pasoja në njerëz ose dëme të mëdha materiale. Të gjithë dronët janë penguar para se t’i godisnin caqet e tyre, raporton gazeta “The Guardian”.

“Dita 504 e pushtimit të plotë të Federatës Ruse në Ukrainë. Armiku kreu një sulm tjetër ajror ndaj kryeqytetit”- shkroi në rrjetin “Telegram” kreu i administratës ushtarake të Kievit, Serhiy Popko.

Dëshmitarët e agjencisë “Reuters” në Kiev dëgjuan shpërthime që i ngjanin zhurmës së sistemeve të mbrojtjes ajrore që pengonin objekte në ajër. Nuk qe menjëherë e ditur se dronë “Shahed” të prodhimit iranian hodhi Rusia dhe sa prej tyre u penguan.

Sirenat e alarmit për sulme ajrore u lëshuan për më shumë se dy orë në Kiev dhe në pjesë të ndryshme të Ukrainës, ndërsa luftimet vazhduan e udhëheqësit e NATO-s u mblodhën në samitin e kritikuar nga Kremlini, i cili paralajmëroi se Moska do të kundërpërgjigjet për ta mbrojtur sigurinë e vet.

Një natë më parë, Rusia kreu 28 sulme me dronë në Kiev dhe në Odesa, ndërsa raportohet se sistemet ukrainase të mbrojtjes ajrore rrëzuan 26 dronë të tipit “Shahed”.

Të mërkurën, presidenti ukrainas, Volodymy Zelensky, pritet që të zhvillojë një varg takimesh dypalëshe me udhëheqësit e vendeve të NATO-s, pasi ata thanë se e ardhmja e Ukrainës është brenda aleancës, por e refuzuan thirrjen e tij që Ukrainës t’i ofrohej një kornizë kohore për anëtarësim.

Ai pritet të takohet edhe me homologun amerikan, Joe Biden, me gjasë për t’i kërkuar më shumë armë e municion për ta fuqizuar luftën e forcave ukrainase kundër pushtuesve rusë.

Lajme të ngjashme