Grupi G7 do t'i ofrojë Ukrainës pako afatgjate të sigurisë në samitin e NATO-s - NACIONALE

Grupi G7 do t'i ofrojë Ukrainës pako afatgjate të sigurisë në samitin e NATO-s

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Grupit G7 pritet që të ratifikojnë një pako afatgjate të sigurisë me Ukrainën në samitin e NATO-s në Lituani të mërkurën.

Në këtë pako do të përfshihen pajisje të mbrojtjes, trajnime dhe ndarje të të dhënave të inteligjencës, raporton televizioni BBC.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak, tha se kjo marrëveshje do t’i dërgojë një sinjal të fuqishëm presidentit rus, Vladimir Putin.

Lajmi për pakon e sigurisë erdhi pas kritikave të Zelenskyt për ngurrimin e NATO-s për t’i dhënë Kievit një kornizë kohore për anëtarësimin në aleancë.

Sunaku tha se aleatët e Ukrainës ishin duke i shtuar “marrëveshjet formale për ta mbrojtur Ukrainën në aspektin afatgjatë”. “Ne kurrë nuk mund të shohim një përsëritje të asaj që ka ndodhur në Ukrainë dhe kjo deklaratë e riafirmon përkushtimin tonë për t’u siguruar që ajo (Ukraina) të mos mbetet kurrë e brishtë ndaj llojit të brutalitetit që Rusia ia ka shkaktuar përsëri”- tha ai.

Kryeministri britanik shtoi se përkrahja e rrugës së Ukrainës drejt NATO-s si dhe “marrëveshjet formale, shumëpalëshe e dypalëshe” nga anëtarët e NATO-s do t’i dërgojnë një porosi të qartë presidentit rus “për ta kthyer paqen në Evropë”.

Presidenti amerikan, Joe Biden, më herët sugjeroi një model për Ukrainën të ngjashëm me marrëveshjen e vendit të tij me Izraelin. Sipas asaj marrëveshjeje, Uashingtoni është zotuar për të ofruar ndihma ushtarake prej 3,8 miliardë dollarësh në vit për një dekadë.

Megjithatë, ndryshe nga anëtarësimi në NATO, në këtë pako nuk përfshihet klauzola që shtetet e aleancës t’i dalin në ndihmë Ukrainës në rast sulmi.

Duke iu drejtuar turmës në kryeqytetin lituan të martën, presidenti ukrainas tha: “NATO-ja do t’i japë Ukrainës siguri. Ukraina do ta bëjë aleancën më të fuqishme.”

Ai gjithashtu paraqiti një flamur të betejës nga qyteti i shkatërruar i Bakhmutit, ku janë zhvilluar disa prej luftimeve më të ashpra e më të përgjakshme që nga fillimi i pushtimit rus.

Lajme të ngjashme