Rusia i cilëson potencialisht shumë të rrezikshme planet për t’i dhënë Ukrainës garanci sigurie
Kremilini i konsideron “tepër të pamenduara dhe potencialisht shumë të rrezikshme” planet e shteteve të Grupit G7 për t’i ofruar Ukrainës garanci të sigurisë, tha të mërkurën zëdhënësi Dmitry Peskov.
Britania publikoi të martën një deklaratë për planet e Grupit G7, në të cilin bëjnë pjesë ShBA-ja, Britania, Franca, Gjermania, Kanadaja, Italia dhe Japonia, për t’u pajtuar të mërkurën për një “kornizë domethënëse ndërkombëtare për rregullimet afatgjate të sigurisë së Ukrainës”, raporton agjencia “Associated Press”.
Një deklaratë e përbashkët, që pritet të nënshkruhet nga përfaqësuesit e vendeve të Grupit G7 në margjinat e samitit të NATO-s në Lituani, do ta shënonte herën e parë “që kaq shumë shtete janë pajtuar për një rregullim gjithëpërfshirës afatgjatë të sigurisë të këtij lloji me një shtet tjetër”- tha qeveria britanike.
Peskovi tha se shtetet që i ofrojnë garanci sigurie Ukrainës “në thelb e shpërfillin parimin ndërkombëtar të pandashmërisë së sigurisë”. “Duke i dhënë garanci të sigurisë Ukrainës, ata po shkelin në sigurinë e Rusisë”- shtoi ai.
“Ne e konsiderojmë këtë tepër të pamenduar dhe potencialisht shumë të rrezikshme”- tha zëdhënësi i Kremlinit.
Ai përsëri e përmendi pozicionin e vjetër të Rusisë për anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës në NATO, duke e quajtur këtë organizatë “aleancë sulmuese” që “i sjell jostabilitet e agresion” botës.
