Stafi i Shtëpisë së Bardhë gjente letra të shqyera në guacë, besohet se i gjuante Trumpi - NACIONALE

Stafi i Shtëpisë së Bardhë gjente letra të shqyera në guacë, besohet se i gjuante Trumpi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Në librin e ardhshëm të gazetares amerikane të gazetës “The New York Times”, Maggie Haberman, do të raportohet se si stafi i Shtëpisë së Bardhë gjente herë pas here copa letrash të shqyera në guacën e tualetit. Stafi besonte se ish-presidenti Trump i hidhte ato.

Trumpi e ka mohuar këtë dhe e ka quajtur larvë gazetaren. Shkatërrimi i letrave dhe dokumenteve që duhet të ruhen, mund të jetë potencialisht i paligjshëm në ShBA, raporton faqja amerikane e lajmeve, Axios.

Gazetarja i publikoi fotografitë e disa copave të letrave të hedhura në tualet para publikimit të librit më 4 tetor. Libri titullohet “Burri i Vetëbesimit: Ndërtimi i Donald Trumpit dhe thyerja e Amerikës”.

Një burim i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se fotografia në të majtë është bërë në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa fotografia në të djathtë është bërë gjatë një udhëtimi jashtë vendit.

Zëdhënësi i Trumpit, Taylor Budowich, faqes amerikane “Axios” i tha: “Duhet të jesh goxha e dëshpëruar që të shesësh libra, nëse fotografitë e letrës në një guacë tualeti janë pjesë e planit tëndë promocional.”

“E dimë... ka mjaft njerëz që janë të gatshëm për të fabrikuar rrëfime si ky për t’i lënë mbresa klasës së medieve – një klasë mediesh që është e gatshme të garojë me gjithçka, për aq gjatë sa ajo është anti-Trump”, shtoi ai.

Burimet e gazetares Haberman thonë se hedhja e dokumenteve ka ndodhur disa herë në Shtëpinë e Bardhë dhe të paktën dy herë gjatë udhëtimeve jashtë vendit.

“Se z.Trump po i shpërfillte dokumentet në këtë mënyrë, nuk ishte gjë e njohur gjerësisht brenda Krahut Perëndimor, por disa ndihmës ishin të vetëdijshëm për këtë shprehi, në të cilën ai angazhohej në mënyrë të përsëritur”, tha gazetarja Haberman.

“Kjo ishte një zgjatje e shprehisë afatgjate të Trumpit për të shqyer dokumente që duhej të ruheshin sipas Aktit të Dokumenteve Presidenciale”, shtoi ajo.

Dorëshkrimi shihet qartazi që është i Trumpit, i shkruar me lapsin e tij të parapëlqyer, “Sharpie”.

Shumica e fjalëve janë të palexueshme, por në copat e letrës vërehet emri i republikanes Elise Stefanik, mbrojtëse e Trumpit dhe anëtare e Dhomës së Përfaqësuesve./Nacionale

Lajme të ngjashme