Sperma nga donatori që kishte gjen që shkakton kancer u përdor për ngjizjen e gati 200 fëmijëve - NACIONALE

Sperma nga donatori që kishte gjen që shkakton kancer u përdor për ngjizjen e gati 200 fëmijëve

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Një donator sperme që pa vetëdije kishte një mutacion gjenetik që e shton në masë dramatike rrezikun për kancer është bërë baba i të paktën 197 fëmijëve në mbarë Evropën, sipas një hulumtimi.

Disa fëmijë tashmë kanë vdekur dhe vetëm një pakicë e tyre që e kanë trashëguar mutacionin do t’i shmangen kancerit gjatë jetës së tyre, raporton televizioni publik britanik, BBC.

Sperma nuk u ishte shitur klinikave në Britani, por BBC-ja mund të konfirmojë se një numër “shumë i vogël” i familjeve britanike, të cilat janë njoftuar, e kanë përdorur farën e këtij burri gjatë trajtimit për fertilitet në Danimarkë.

Klinika daneze që e shiti spermën tha se familjet e prekura e kanë “keqardhjen më të thellë” të kompanisë dhe pranoi se fara u përdor për ngjizjen e shumë foshnjave në disa shtete.

Hulumtimi është kryer nga 14 televizione publike, përfshirë BBC-në, si pjesë e Rrjetit të Gazetarisë Hulumtuese të Unionit të Transmetuesve Evropianë.

Fara u dha nga një burrë anonim që kishte paguar para për të qenë donator kur ishte student, duke filluar nga viti 2005. Sperma e tij më pas u përdor nga gratë për rreth 17 vjet.

Ai është i shëndoshë dhe i kishte kaluar kontrollet që u bëhen donatorëve. Megjithatë, ADN-ja në disa prje qelizave të tij kishte pësuar mutacion para se të lindej personi.

Mutacioni e dëmtoi gjenin TP53, i cili ka rol jetik në parandalimin e shndërrimit të qelizave trupore në kancerogjene.

Pjesa më e madhe e trupit të donatorit nuk e përmban formën e rrezikshme të gjenit TP53, por deri në 20 për qind e spermës po.

Sidoqoftë, secili fëmijë i ngjizur nga sperma e prekur do ta ketë mutacionin në secilën qelizë të trupit.

Kjo gjendje njihet si sindromi Li Fraumeni dhe vjen me rrezikun deri në 90 për qind të zhvillimit të kancerit, sidomos gjatë fëmijërisë, si dhe kancerit të gjirit më vonë gjatë jetës./Nacionale

Lajme të ngjashme