Spastroi 150 spiunë rusë për dështimin në Ukrainë, Putini frikohet nga "grusht shteti ushtarak” - NACIONALE

Spastroi 150 spiunë rusë për dështimin në Ukrainë, Putini frikohet nga "grusht shteti ushtarak”

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Vladimir Putin po përgatitet për një grusht shteti të mundshëm ushtarak pasi spastroi 150 spiunë mbi pushtimin katastrofik të Ukrainës nga Rusia.

Tirani rus ka nisur një spastrim "stalinist" të shërbimeve të tij të inteligjencës - duke përfshirë burgosjen e shefit të spiunazhit Sergei Beseda, shkruan The Sun.

Putini ka ngjallur frikë edhe te grupi i pestë i Shërbimit të Byrosë Federale të Sigurisë - department ky që punonte për Ukrainën. Besohet se grupi i pestë i Shërbimit ka punuar në Ukrainë prej vitesh në përpjekje për të destabilizuar vendin përpara pushtimit.

Ndërsa, tani pas një dështimi në pushtim mendohet se Vladimir Putin është zemëruar me grupin pasi që ka shpenzuar miliarda dollarë për aktivitetet e tyre që rezultuan të pafrytshme.

Si fillim, Rusia kishte pritur se mund të marshonte në të gjithë Ukrainën pa shumë luftë - por në realitet ata janë përballur me një rezistencë të guximshme. Vetë, Putini kishte besuar se fitorja ishte e mundur brenda disa ditësh, por në vend të kësaj lufta në vend po vazhdon për javë të tëra.

Në ndërkohë shefi i spiunazhit, Beseda, 68 vjeç, është dërguar në burgun Lefortovo në Moskë – një ish-shtëpi e marrjes në pyetje dhe torturës nga Stalini.

Ai u shkarkua për "raportimin e informacionit të rremë në Kremlin lidhur me situatën reale në Ukrainë para pushtimit".

Shkarkimi dhe burgosja e tij vjen pasi analisti rus Alexey Muraviev paralajmëroi se Putini mund të përballet me një "grusht shteti" nga ushtria dhe shërbimet e tij të inteligjencës.

Muraviev tha për Sky News se grushti mund të vijë pasi ata duan të përpiqen dhe ta fitojnë luftën - pra për të mos ndalur agresionin në Ukrainë.

Ai tha: "Unë mendoj se ka pasur tensione në Rusi midis komunitetit të inteligjencës dhe presidentit rus Vladimir Putin. Sepse është e qartë se ka pasur një gabim të qartë gjykimi që është bërë dhe ndoshta është nxitur nga vetë Putini për situatën në Ukrainë. Për planifikimin fillestar dhe fazën fillestare të pushtimit, ku ushtria ruse natyrshëm supozonte se ata po shkonin në Ukrainë si çlirimtarë dhe jo si pushtues. Mendoj se atyre u është paraqitur një lloj narrative e rreme nga Komandanti Suprem i Përgjithshëm dhe kur rusët filluan të goditen rëndë, Putin filloi të fajësonte në heshtje shërbimet e sigurisë. Gjë që nuk mendoj se shkoi shumë mirë sepse edhe vetë Putini vjen nga brenda aparatit të sigurisë."

Spastrimet e Putinit u raportuan për herë të parë nga Christo Grozev, drejtor ekzekutiv i Bellingcat, organizata që zbuloi identitetet e helmuesve të Salisbury-t në vitin 2018.

Ai tha për Popular Politics: “Mund të them se megjithëse një numër i konsiderueshëm i tyre nuk janë arrestuar, ata nuk do të punojnë më për FSB-në”.

Oficerët e FSB-së muajin e kaluar kanë kryer bastisje në më shumë se 20 adresa të ndryshme rreth Moskës. Ndërsa, Putini ka frikë se oficerët e inteligjencës po japin informacione për shtypin dhe Perëndimin në lidhje me pushtimin e tij.

Andrei Soldatov, një ekspert në shërbimet ruse të sigurisë, tha për The Times se arrestimi i Besedës nga Putin dërgon një "mesazh të fortë" për elitat e tjera që mund ta sfidojnë atë.

“Putin mund ta kishte shkarkuar shumë lehtë ose ta kishte dërguar në ndonjë punë rajonale në Siberi. Por, Lefortovo nuk është një vend i mirë dhe dërgimi i tij atje është një sinjal se sa seriozisht i merr Putini këto gjëra."

Moska Times raportoi se ka dyshime që Beseda i ka dhënë CIA-s informacione rreth pushtimit në Ukrainë.

Putini foli sot edhe një herë duke mbrojtur vendimin e tij për pushtimin e Ukrainës, pavarësisht dështimeve që kanë parë pothuajse 20,000 ushtarë rusë të vrarë dhe potencialisht pajisje ushtarake të shkatërruara në vlerë miliardash.

Putin e mbrojti luftën si një "mision fisnik" dhe në mes të akuzave në rritje për krime lufte ai premtoi ta vazhdojë “operacionin special”.

Deklarata e Putin vjen, pasi besohet se Rusia po përgatitet për një ofensivë të re të përqendruar në qytetin e rrethuar të Mariupolit, ku dyshohet se ditën e djeshme janë përdorur edhe armë kimike.

Trupat e Putinit menduan se do të priten me brohoritje dhe valëvitje flamujsh në Ukrainë, por në vend të kësaj ata u përballën me tërbim dhe kokteje molotovi. Ndërkohë, Ukraina po vazhdon të bëjë thirrje për ndihmë ushatarake nga vendet e tjera.

Por, liderët botërorë dhe NATO-ja ndodhen mes një frike për të ofruar më shumë për shkak se mund të rrezikojnë një luftë të hapur me Rusinë dhe potencialisht Luftën e Tretë Botërore.

Lajme të ngjashme