Spanja e anulon blerjen 287-milionëshe të raketave kundërtanke nga Izraeli
Spanja, e cila e ka kritikuar fuqishëm ofensivën e Izraelit në Gaza, ka anuluar një kontratë për blerjen e 168 pikave të zjarrit dhe 1.680 raketave kundërtanke nga kompania izraelite e mbrojtjes, “Rafael”, raportoi të mërkurën agjencia franceze e lajmeve, AFP, duke cituar media spanjolle.
Vlera e kontratës ishte 287,5 milionë euro, sipas gazetës më të shitur spanjolle, “El Pais”, e cila citoi burime të paidentifikuara qeveritare. Pajisjet do të prodhoheshin në Spanjë me licencë nga kompania “Rafael”, raporton gazeta “The Guardian”.
Burimet në Ministrinë e Mbrojtjes të Spanjës i thanë agjencisë AFP se Qeveria “ka filluar një proces për t’i tërhequr licencat me prejardhje izraelite” dhe ishte duke punuar për t’i riorientuar programet e blerjes “me qëllim të arritjes së pavarësisë dhe autonomisë më të madhe teknologjike”.
Kritikat e kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez, për ofensivën ushtarake izraelite në Gaza e kishin zemëruar Qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu vitin e kaluar, pasi Madridi vendosi edhe që të njihte një shtet të pavarur palestinez.
Në fund të prillit, Spanja anuloi një kontratë për të blerë plumba nga kompania izraelite “IMI Systems”, pas presionit nga një partner i koalicionit qeveritar. Ky vendim u dënua shpejt nga Izraeli.
Ministrja e Punës e Spanjës, Yolanda Diaz, kishte thënë se vendi i saj nuk mund të angazhohej në “biznes me një qeveri gjenocidale… që po e masakron popullin palestinez”.