Sllovakia i kushtëzon ndihmat e BE-së për Ukrainën: Ndër shtetet më të korruptuara në botë
Kryeministri i ri i Sllovakisë, Robert Fico, theksoi gjatë debatit me udhëheqësit e vendeve të tjera të BE-së rreth përkrahjes së Ukrainës me 50 miliardë euro se ai dëshiron garanci që të hollat e Bashkimit Evropian nuk do të keqpërdoren, tha të premten zyra e tij.
“Ukraina është në mesin e shteteve më të korruptuara në botë dhe ne do ta kushtëzojmë atë që është mbështetje e tepërt financiare me garanci që të hollat evropiane (përfshirë ato sllovake) nuk do të përvetësohen”- tha Fico në një deklaratë.
Ai shtoi se një pjesë e këtyre fondeve duhet të ndahet për rinovimin e infrastrukturës së Sllovakisë përgjatë kufirit të saj lindor me Ukrainën, raporton agjencia "Reuters".
Të enjten, Fico tha se vendi i tij do t’i ndalë ndihmat ushtarake për Ukrainën, duke e përmbushur njërin nga premtimet kryesore të fushatës zgjedhore.
Ai gjithashtu paralajmëroi se nuk do të votojë sanksione kundër Rusisë pa i parë analizat e ndikimit të tyre ndaj Sllovakisë.
