Sllovakia ia ndal ndihmat ushtarake Ukrainës, e paralajmëron kundërshtimin e sanksioneve ndaj Rusisë
Kryeministri i ri populist i Sllovakisë, Robert Fico, ka thënë se koalicioni i tij qeveritar me tri parti do t’u japë fund ndihmave ushtarake për fqinjen lindore, Ukrainën, duke e përmbushur njërin nga premtimet kryesore të fushatës.
Fico tha para deputetëve të enjten para se të nisej për në samitin e udhëheqësve të vendeve të BE-së në Bruksel se Sllovakia “nuk do ta furnizojë më Ukrainën me armë”, por do t’i vazhdojë ndihmat humanitare për shtetin e përfshirë nga lufta, raporton gazeta “The Guardian”.
“Do të mbështes zero ndihmë ushtarake për Ukrainën... Ndalja e menjëhershme e operacioneve ushtarake është zgjidhja më e mirë që e kemi për Ukrainën. BE-ja duhet të ndryshojë nga dhuruese e armëve në paqebërëse”- tha ai.
Fico shtoi se “nuk do të votojë për asnjë sanksion kundër Rusisë derisa t’i shoh analizat e ndikimit të tyre ndaj Sllovakisë”. “Nëse do të ketë sanksione të tilla që do të na dëmtojnë ne, siç kanë bërë shumica e sanksioneve, nuk mund të shoh ndonjë arsye për t’i mbështetur ato”- tha kryeministri sllovak.
Sllovakia më parë ka qenë përkrahëse e palëkundur e Ukrainës që nga fillimi i pushtimit rus, duke i dhuruar municion, armë e aeroplanë luftarakë të periudhës sovjetike, Mig-29, si dhe duke e hapur kufirin për refugjatët që kanë ikur nga lufta.
Analistët presin që Sllovakia t’u afrohet politikave nacionaliste të Hungarisë, kryeministrin e së cilës, Viktor Orban, Fico ka thënë se e çmon. Sidoqoftë, shumë njerëz kanë dyshime se sa larg do të shkojë Fico me retorikën e tij të fushatës.
