Fico pro-rus arrin marrëveshje koalicioni për ta qeverisur Sllovakinë
Fituesi i zgjedhjeve në Sllovaki, ish-kryeministri majtist, Robert Fico, të mërkurën arriti marrëveshje koalicioni me qendrën e majtë, partinë Hlas, dhe me partinë nacionaliste SNS, me synimin për ta formuar qeverinë e re muajin e ardhshëm.
Fico është zotuar se do t’i ndërpresë ndihmat ushtarake për Ukrainën dhe i ka kritikuar sanksionet ndaj Rusisë. Sipas marrëveshjes së koalicionit, ai do të jetë kryeministër i vendit, raporton agjencia “Reuters”.
Partia Hlas, që u nda nga partia e Ficos më 2020, e zuri vendin e tretë në zgjedhjet e 30 shtatorit dhe ishte pozicionuar në rol kyç për formimin e qeverisë së re. Kjo parti i kishte refuzuar bisedimet me një parti liberale të martën, duke e hapur rrugën për marrëveshjen me SMER-in e Ficos.
Hlasi, të cilën analistët e shohin si më të moderuar se SMER-in, është përpjekur që ta garantojë drejtimin e politikës së jashtme të Sllovakisë si anëtare e BE-së dhe NATO-s.
