Telashe për Ukrainën e Evropën, në Sllovaki pritet të vijë një pushtet “Orbani i dytë”
Ish-kryeministri populist i Sllovakisë, Robert Fico, partia e të cilit është favorite për t’i fituar zgjedhjet e parakohshme, planifikon që ta ndryshojë politikën e ofrimit të përkrahjes ushtarake e politike të vendit të tij për Ukrainën, sfidim i drejtpërdrejtë ndaj Bashkimit Evropian dhe NATO-s, nëse ai rikthehet në pushtet.
Fico, që e ka udhëhequr vendin dy herë – në periudhat 2006 – 2010 dhe 2012 – 2018 – është favoriti kryesor për t’u bërë kryeministër pas zgjedhjeve të 30 shtatorit. Ai dhe partia e tij majtiste, “Smer”, kanë bërë fushatë me porosi të qarta pro-ruse e anti-amerikane, raporton agjencia “Associated Press”.
Kandidatura e tij është pjesë e një fryme më të gjerë në Evropë. Vetëm Hungaria ka qeveri haptazi pro-ruse, por në vende të tjera, përfshirë Gjermaninë, Francën e Spanjën, partitë populiste, skeptike për ndërhyrjen në Ukrainë, gëzojnë përkrahje të konsiderueshme. Në shumë prej këtyre shteteve priten zgjedhje kombëtare ose rajonale, që mund ta ndryshojnë baraspeshën e opinionit publik, duke e larguar përkrahjen për Kievin e duke e shtuar atë për Moskën.
“Nëse Smer-i është pjesë e qeverisë, nuk do të dërgojmë më asnjë armë apo municion në Ukrainë”- tha Fico, i cili tash për tash është deputet dhe njihet për gjuhën e ndyrë kundër gazetarëve, në një intervistë për agjencinë “Associated Press”.
Fico i kundërshton edhe sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, e vë në pikëpyetje aftësinë e ushtrisë ukrainase për t’i dëbuar ushtarët pushtues rusë dhe dëshiron që Sllovakia ta shfrytëzojë anëtarësinë e saj në NATO për ta bllokuar hyrjen e Ukrainës në aleancë. Kthimi i tij në pushtet do të mund ta nxirrte Sllovakinë nga rrjedha e demokracisë edhe në forma të tjera, pas zhvillimeve në Hungarinë e kryeministrit Viktor Orban dhe, më pak, në Poloninë e udhëhequr nga parti “Ligj dhe Drejtësi”.
Sipas një ankete të bërë në mars nga organizata “Globsec” me seli në Bratisllavë, shumica e sllovakëve, 51 për qind, besojnë se Perëndimi ose Ukraina janë përgjegjëse për luftën. Gjysma e pjesëmarrësve i shohin Shtetet e Bashkuara si kërcënim për sigurinë e vendit të tyre, dukshëm më shumë se 39 për qind vitin e kaluar.
Në intervistë, Fico tha se asnjë sasi e armëve perëndimore në Ukrainë nuk do ta ndryshojë rrjedhën e luftës. Sipas tij, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet ta shfrytëzojnë ndikimin e tyre për t’i detyruar Rusinë dhe Ukrainën që të arrijnë një marrëveshje paqeje me kompromis.
“Është naive të mendosh se Rusia do të largohej nga Krimea”- tha Fico, duke iu referuar gadishullit të aneksuar nga Moska më 2014. “Është naive të mendosh se Rusia do ta braktiste ndonjëherë territorin që e kontrollon (në Ukrainë)”- shtoi ai.