Skandaloze: Trumpi nuk tregon se cila palë dëshiron ai që ta fitojë luftën në Ukrainë, Putinin e quan të zgjuar - NACIONALE

Skandaloze: Trumpi nuk tregon se cila palë dëshiron ai që ta fitojë luftën në Ukrainë, Putinin e quan të zgjuar

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili synon që të garojë përsëri për këtë post, nuk ka treguar se cila palë dëshiron ai që ta fitojë luftën në Ukrainë, por ka pretenduar se do ta zgjidhte problemin brenda 24 orëve.

Miliarderi amerikan tha se do të takohej me presidentët e Ukrainës dhe Rusisë, Volodymyr Zelensky dhe Vladimir Putin, dhe se do ta zgjidhte luftën brenda një dite, por nuk tregoi nëse beson që Putini është kriminel lufte, ndonëse shtoi se “kjo duhet të diskutohet më vonë”, raporton televizioni CNN.

Gjykata Ndërkombëtare Penale në mars lëshoi fletarrestime për Putinin dhe zyrtaren ruse, Maria Lvova-Belova, nën dyshimin për zbatimin e një skeme për dërgimin e fëmijëve ukrainas në Rusi. Moska ka thënë se fëmijët janë shpëtuar me këtë veprim dhe ka mohuar se largimi i tyre është bërë me forcë.

“Nëse thoni se ai (Putini) është kriminel lufte, do të jetë shumë më zor që të bëhet një marrëveshje për ta ndalur këtë gjë (luftën). Nëse ai do të jetë kriminel lufte, njerëzit do ta kapin dhe do ta ekzekutojnë, ai do të luftojë shumë më fort se që është duke luftuar nën rrethanën tjetër”- tha ish-presidenti Trump.

Ai e quajti Putinin “djalë të zgjuar”, por shtoi se rusi ka bërë një gabim shumë të madh.

“Natyrisht se ai është i zgjuar. Ata duan që ju të thoni se ai është person budalla. Ai nuk është person budalla dhe është shumë dinak. Sipas mendimit tim, Putini bëri një gabim të keq”- shtoi Trumpi.

Kur gazetarja kërkoi që ai të hynte në hollësi, Trumpi tha: “Gabimi i tij ishte hyrja (në luftë). Ai kurrë nuk do të hynte (në luftë), nëse unë do të isha president.”

Lajme të ngjashme