Skandali me vdekjen e të porsalindurve, Turqia ngre aktakuzë ndaj 47 personave
Një prokuror në Stamboll ka ngritur aktakuzë ndaj 47 personave, përfshirë mjekë e infermierë, për trajtimin jo të duhur të foshnjave për përfitim, duke e shkaktuar vdekjen e të paktën 10 të porsalindurve në njërin prej skandalet më të mëdha shëndetësore në Turqi viteve të fundit.
Ministria e Shëndetësisë ka mbyllur nëntë spitale private si rezultat i hetimit, ndërsa vlerësohet se gjithsej 19 institucione e bartin përgjegjësinë, thuhet në aktakuzë, raporton agjencia “Reuters”.
Partia kryesore opozitare, CHP, ka kërkuar hetim parlamentar për çështjen dhe ka bërë thirrje për dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Kemal Memisoglu. Ai ka thënë se inspektimet e spitaleve nga ministria që e drejton tani do të bëhen “në mënyrë më të rreptë se kurrë më parë”.
Të dyshuarit akuzohen për ndërtimin e një grupi kriminal për të vendosur të porsalindur në spitale të caktuara private dhe për të marrë pagesa nga organi turk i sigurisë sociale për trajtime jo të duhura dhe nganjëherë të rreme, thuhet në aktakuzën që e ka siguruar agjencia “Reuters”.
Dy prej të dyshuarve, që punojnë në një linjë emergjente telefonike, kishin kërkuar të porsalindur që mund të dërgoheshin në këto spitale për trajtim në kujdesin intensiv, sipas aktakuzës me 1.399 fqe, të dorëzuar në një gjykatë të Stambollit javën e kaluar.
Në aktakuzë thuhet se të porsalindurit u bënë viktima të kujdesit jo të duhur mjekësor, ndërsa ilaçet e ndara për ta u ishin shitur të tjerëve dhe disa kishin vdekur nga infeksionet e marra në reparte.
Më tej, qëllimi i bandës kriminale ishte që “të sigurohej përfitim financiar, e jo përmirësimi i kushteve shëndetësore të pacientëve”.
Të dyshuarit, përfshirë dy mjekë e 11 infermierë, i kanë mohuar akuzat, duke thënë se pa ndonjë qëllim i kishin dërguar të porsalindurit në spital të caktuara pa ndonjë qëllim dhe se foshnjat e kishin marrë trajtimin e nevojshëm, thuhet në aktakuzë.
Në mesin e akuzave me të cilat ballafaqohen të dyshuarit përfshihen formimi i një bande kriminale, mashtrimi, falsifikimi i dokumenteve zyrtare dhe vrasja nga neglizhenca. Disa prej të pandehurve mund të dënohen me burgim deri në 589 vjet, nëse shpallen fajtorë./Nacionale