S’ka paqe as në ditën e 26-të: Rusia vazhdon bombardimet, Ukraina qëndresën e ShBA paralajmëron për sulm të mundshëm nga Bjellorusia - NACIONALE

S’ka paqe as në ditën e 26-të: Rusia vazhdon bombardimet, Ukraina qëndresën e ShBA paralajmëron për sulm të mundshëm nga Bjellorusia

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Agresioni rus në Ukrainë ka shënuar ditën e 26-të, e sikurse secilën ditë tjetër edhe kjo e hënë është përcjellur me shumë zhvillime për të cilat Gazeta Nacionale ka raportuar vazhdimisht. Megjithatë, as 21 marsi nuk ka prodhuar ndonjë marrëveshje paqeje ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.

Rusia ka vazhduar bombardimet në qytetet ukrainase duke lënë shumë civilë të vrarë e mijëra njerëz të zhvendosur nga zonat ku po zhvillohet luftë e ashpër. Ndërkohë, ukrainasit kanë vazhduar të kërkojnë mbështetje për mbrojtje nga vendet e tjera duke bërë të ditur se nuk e kanë ndër mend të dorëzohen.

Më poshtë të përmbledhura nga Nacionale i gjeni të gjitha ngjarjet kyçe të ditës së sotme nga lufta Rusi-Ukrainë:

Nga granatimet e natës së kaluar në një zonë banimi në Kiev, kanë mbetur të vrarë të paktën tetë persona. Zyrtarët ukrainas kanë njoftuar se numri i viktimave mund të rritet, pasi kërkimet nën rrënoja të ndërtesave po vazhdojnë.

Ukraina ka hedhur poshtë një ultimatum nga Moska që njerëzit në qytetin e shkatërruar të Mariupolit të dorëzoheshin para orës 5 të mëngjesit të së hënës. “Nuk mund të bëhet fjalë për ndonjë dorëzim, apo dorëzim të armëve” në portin e goditur të Detit të Zi, tha zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, ndërsa presidenti Zelensky ka thënë se Ukraina nuk do të përkulet kurrë ndaj ultimatumeve nga Rusia dhe qytete si Kievi, Mariupoli apo Kharkiv nuk do ta pranojnë pushtimin rus.

Ukraina hodhi poshtë gjithashtu ofertën e Moskës për të hapur dy korridore humanitare jashtë Mariupolit. Ndërsa kujtojmë se, qindra mijëra njerëz janë bllokuar në qytet, ku shumë prej tyre kanë mbetur pa ujë, ngrohje apo energji elektrike. Zyrtarët kanë bërë të ditur se të paktën 2,300 banorë kanë humbur jetën në këtë qytet, ku disa nga viktimat janë varrosur në varre masive.

Forcat e armatosura të Ukrainës, kanë njoftuar se trupat ruse kanë përdorur granata dhe të shtëna me armë zjarri për të shpërndarë një tubim të protestuesve kundër pushtimit në qytetin jugor të Khersonit. U bë e ditur se në këto protesta ka mbetur i plagosur të paktën një person.

Autoritetet në Odesa kanë akuzuar forcat ruse për kryerjen e një sulmi ndaj ndërtesave të banimit në periferi të qytetit herët të hënën, sulmi i parë i tillë në portin e Detit të Zi. Këshilli i qytetit të Odesa-s tha se blloqet e apartamenteve në periferi të qytetit ishin goditur nga sulmet ajrore, duke mos shkaktuar viktima, por vetëm zjarr.

Një 96-vjeçar i mbijetuar nga kampi i përqendrimit të Holokaustit u vra në një sulm me bombë në qytetin ukrainas Kharkiv, tha Fondacioni i Përkujtimeve Buchenwald dhe Mittelbau-Dora. Boris Romantschenko vdiq të premten pasi shtëpia e tij u godit nga një predhë.

Një zyrtar i lartë i inteligjencës së NATO-s, tha se Bjellorusia së shpejti mund të sulmojë Ukrainën dhe po përgatitet ta lejojë Rusinë të vendosë armë bërthamore në tokën bjelloruse. Ai shtoi se konflikti në Ukrainë ishte në prag të hyrjes në një ngërç, me forcat ukrainase që pengojnë Rusinë të bëjë përparim, dhe me presidentin rus, Vladimir Putin, i cili nuk po tregon gatishmëri për t'u tërhequr.

Shtetet e Bashkuara thanë se nuk mund të konfirmonin ose përgënjeshtronin në mënyrë të pavarur pretendimin rus ku gjatë fundjavës tha se kishte gjuajtur raketa hipersonike në një objektiv ukrainas. Mbi këtë çështje ka foluar një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane, duke thënë se nga perspektiva ushtarake përdorimi i një arme të tillë ka shumë pak kuptim.

Mëngjesin e së hënës, forcat ruse rrëmbyen katër gazetarë ukrainas nga shtëpitë e tyre në Melitopol, ky rrëmbim u bë i ditur nga Sindikata Kombëtare e Gazetarëve të Ukrainës. Nga sindikata u tha se botuesi Mykhailo Kumok, redaktori Yevhenia Borian dhe reporterët Yulia Olkhovska dhe Liubov Chaika – të gjithë të lidhur me gazetën Melitopolskie Vedomost, janë mbajtur peng për disa orë e më pas janë liruar.

Një gjykatë ruse urdhëroi Metën të ndalojë menjëherë aktivitetet e Facebook-ut dhe Instagram-it në Rusi me arsyetimin e “aktivitetit ekstremist”. Vendimi për ndalimin e Facebook dhe Instagram nuk do të zbatohet për shërbimin e mesazheve WhatsApp.

Rezistenca e Ukrainës ndaj forcave ruse e ka bërë Moskën "të vlerësojë në mënyrë më adekuate realitetin" se si po përparon pushtimi i saj, ka thënë një negociator ukrainas për BBC.

Pas publikimi të një artikulli nga gazeta pro-Kremlinit, Komsomolskaya Pravda në të cilin shkruhej se 9,861 ushtarë rusë kanë vdekur në Ukrainë, redaktori i saj ka deklaruar se uebfaqja e tyre ishte hakuar./Nacionale/

Lajme të ngjashme