"S'ka gjasa fare": Ekspertët e Nobelit thonë se Trumpi s’do të jetë në mesin e fituesve – ja pse - NACIONALE

"S'ka gjasa fare": Ekspertët e Nobelit thonë se Trumpi s’do të jetë në mesin e fituesve – ja pse

11 muaj më parë

nga Nasuf Abdyli

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nuk do ta fitojë Çmimin Nobel për Paqe, të cilin e lakmon shumë, pasi po e çmonton rendin botëror ndërkombëtar që çmohet nga Komiteti i Nobelit, sipas ekspertëve.

Edhe lobimi i tij me gjasë do të jetë kundërproduktiv. Njëri nga anëtarët e Komitetit të Nobelit i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se ky organ parapëlqen që të punojë në mënyrë të pavarur, i mbrojtur prej presioneve nga jashtë.

Më tepër, organi me pesë anëtarë dëshiron që të vërë në pah një organizatë ndërkombëtare që punon në një mjedis që është bërë më sfidues pjesërisht për shkak të zvogëlimit të ndihmave amerikane nga Trumpi. Njoftimi për fituesin e çmimit prestigjioz do të publikohet më 10 tetor, transmeton gazeta "Nacionale".

Kjo do të thotë se Çmimi Nobel për Paqe mund t’u ndahet agjencisë së OKB-së për refugjatë, UNHCR, agjencisë së OKB-së për fëmijë, UNICEF, Kryqit të Kuq, Mjekëve pa Kufij ose një grupi lokal me anëtarë vendës si Dhomat për Reagim Emergjent në Sudan, mes të tjerëve.

“Ai nuk ka gjasa fare që ta marrë Çmimin Nobel” – tha Asle Sveen, historian i këtij shpërblimi, duke iu referuar presidentit amerikan. Si arsye i përmendi përkrahjen që Trumpi ia ka dhënë Izraelit dhe përpjekjet e tij për riafrim me homologun rus, Vladimir Putin, mes tjerash.

Në testamentin e Alfred Nobelit, themelues i fondacionit, thuhet se çmimi duhet t’i ndahet një personi “që ka bërë më së shumti ose më të mirën për ta avancuar miqësinë mes kombeve”.

Kjo është diçka që Trumpi nuk është duke e bërë, sipas Nina Graeger-it, drejtoreshë e Institutit për Hulumtime të Paqes në Oslo.

“Ai i ka tërhequr Shtetet e Bashkuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe nga Akordi i Parisit për klimën, ai ka nisur një luftë tregtare ndaj miqve dhe aleatëve të vjetër” – i tha ajo agjencisë “Reuters”.

“Kjo nuk është saktësisht ajo për të cilën ne mendojmë, kur e kemi mendjen te një president paqësor ose te dikush që vërtet është i interesuar për promovimin e paqes” – shtoi zonja Graeger.

Sidoqoftë, shumë kandidatë jofavoritë e kanë fituar Çmimin Nobel për Paqe në të kaluarën – Barack Obama më pak se tetë muaj pasi ishte zgjedhur president i ShBA-së ose këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Henry Kissinger, në kulmin e Luftës së Vietnamit.

Lajme të ngjashme