Siria u jep kurdëve katër ditë afat për ta pranuar integrimin pasi ShBA-ja e sinjalizon fundin e përkrahjes - NACIONALE

Siria u jep kurdëve katër ditë afat për ta pranuar integrimin pasi ShBA-ja e sinjalizon fundin e përkrahjes

3 javë më parë

nga Nasuf Abdyli

Siria të martën njoftoi një armëpushim me forcat kurde nga të cilat ka kapur territore të konsiderueshme në pjesën verilindore të vendit dhe u dha katër ditë afat për t’u pajtuar me integrimin në institucionet qendrore. ShBA-ja, aleatja kryesore e forcave kurde në Siri, u bëri thirrje atyre që ta pranojnë këtë gjë.

Avancimet e shpejta të forcave qeveritare ditëve të fundit dhe ajo që në dukje po shihet si tërheqje e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për mbajtjen e vazhdueshme të atij territori nga Forcat Demokratike Siriane e përfaqësojnë ndryshimin më të madh të kontrollit në vend që nga rrëzimi i ish-presidentit Bashar al-Assad nga rebelët 13 muaj më parë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Emisari amerikan, Tom Barrack, në një postim në rrjete sociale e përshkroi ofertën për integrim në institucionet qendrore siriane me të drejta shteetësia, mbrojtje kulturore e pjesëmarrje politike si “mundësia më e madhe” që kurdët e kanë.

Ai shtoi se qëllimi fillestar i Forcave Demokratike Siriane, të cilat Uashingtoni i ka mbështetur si aleate kryesore lokale kundër ISIS-it, kryesisht ka skaduar dhe se Shtetet e Bashkuara nuk kanë interesim afatgjatë për mbajtjen e pranisë së tyre në Siri.

Forcat Demokratike Siriane, të udhëhequra nga kurdët, thanë se e kishin pranuar marrëveshjen e armëpushimit me Qeverinë e Sirisë dhe se nuk do të përfshiheshin në ndonjë veprim ushtarak, përpos nëse sulmohen.

Qeveria siriane tha në një deklaratë se kishte arritur mirëkuptim me SDF-në që kjo fortë të hartonte një plan integrimi për provincën Hasakah ose, në të kundërtën, rrezikonte që forcat shtetërore të hynin në dy qytete që kontrollohen nga SDF-ja.

Qeveria njoftoi një armëpushim katërditore që fillon të martën në mbrëmje dhe tha se kishte kërkuar nga SDF-ja që ta dorëzonte emrin e kandidatit për rolin e asistentit të ministrit të Mbrojtjes në Damask si pjesë e integrimit./Nacionale

Lajme të ngjashme