Siria nis operacion të shtypjes së “mbetjeve” të Assadit pas vrasjes së 14 policëve
Autoritetet e reja të Sirisë të enjten nisën një operacion shtypës të sigurisë në një rajon bregdetar ku një ditë më parë u vranë 14 policë, duke u zotuar se do t’i ndjekin “mbetjet” e qeverisë së rrëzuar të ish-presidentit Bashar al-Assad të akuzuara për këtë sulm, raportuan mediat shtetërore.
Forcat e sigurisë të administratës së re e nisën operacionin për t’i “kontrolluar sigurinë, stabilitetin dhe paqen civile dhe për t’i ndjekur mbetjet e milicive të Assadit në pyje e kodra” në zonat rurale të provincës Tartous, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, SANA, përcjell agjencia “Reuters”.
Grupi Hayat Tahrir al-Sham, i cili e ka udhëhequr fushatën e suksesshme të rebelëve me të cilën u rrëzua Assadi, në mënyrë të përsëritur është zotuar se do t’i mbrojë pakicat fetare, të cilat kanë frikë se pushtetarët e rinj mund të synojnë që të fusin në fuqi një formë konservatore të qeverisë islamiste.
SANA raportoi se Mohammed Othman, guvernator i emëruar rishtazi i rajonit Latakia ngjitur me Tartousin, u takua me sheikët e komunitetit Alawite për t’i “inkurajuar kohezionin e komunitetit dhe paqen civile në bregdetin sirian”.
Ministria e Informacionit shpalli ndalim të atij që e përshkroi si “qarkullim ose publikim të çfarëdo përmbajtjeje mediale ose lajmi me ton sectarian me qëllim të përhapjes së përçarjes” në mesin e sirianëve.
Autoritetet siriane, të udhëhequra nga rebelët, thanë se 14 anëtarë të personelit të Ministrisë së Brendshme janë vrarë dhe dhjetë të tjerë janë plagosur në një pritë të organizuar nga forcat besnike ndaj ish-presidentit të rrëzuar, Bashar al-Assad, në pjesën perëndimore të vendit.
Sipas autoriteteve, luftimet u zhvilluan të martën afër portit të Mesdheut, Tartous, raporton televizioni BBC.
Në raportime thuhet se forcat e sigurisë ranë në pritë, kur po mundoheshin të arrestonin një ish-oficer për shkak të rolit të tij në burgun famëkeq “Saydnaya”, që ndodhet afër kryeqytetit Damask./Nacionale