Siria e pranon dërgesën e re të bankënotave lokale nga Rusia
Siria të mërkurën pranoi një dërgesë të re të bankënotave vendëse të shtypura në Rusi, ndërsa dërgesa të tjera priten në të ardhmen, tha një zyrtar qeveritar sirian, në një shenjë të re të përmirësimit të marrëdhënieve mes Moskës e pushtetarëve të rinj të Sirisë.
Paratë e gatshme arritën përmes aeroplanit në aeroportin e Damaskut të mërkurën dhe u morën nga një kolonë kamionësh për t’u dërguar në Bankën Qendrore, sipas një burimi tjetër të afërt me çështjen, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Siria filloi ta paguante Rusinë për shtypjen e bankënotave të saj me një marrëveshje shumëmilionëshe gjatë luftës civile 13-vjeçare, pasi kontrata e mëparshme e Damaskut me një filial i Bankës Qendrore të Austrisë ishte ndërprerë për shkak të sanksioneve evropiane.
Është e paqartë nëse marrëveshja tani po vazhdon së zbatuari me kushtet e njëjta. Një burim i afërt me kontratën tha se kjo është duke ndodhur.
Një diplomat i lartë rus e vizitoi Damaskun në janar dhe presidenti i ri sirian, Ahmed Al-Sharaa, zhvilloi një bisedë telefonike më 12 shkurt me homologun rus, Vladimir Putin.
Dy ditë më vonë, Siria e pranoi dërgesën e parë me bankënota lokale nga Rusia.
Dërgesat e parave të gatshme janë kritike për Sirinë, pasi ekonomia e goditur nga lufta është përkeqësuar më tej muajve të fundit, në kohën e mungesës së valutës, për të cilën zyrtarët sirianë i kanë fajësuar pjesërisht vonesat e dërgesave të parave të gatshme nga Rusia./Nacionale