Siria e Izraeli afër nënshkrimit të paktit për “depërshkallëzim”, thotë emisari amerikan - NACIONALE

Siria e Izraeli afër nënshkrimit të paktit për “depërshkallëzim”, thotë emisari amerikan

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Siria dhe Izraeli janë afër nënshkrimit të një marrëveshjeje për “depërshkallëzim”, me të cilën Izraeli do t’i ndalë sulmet, ndërsa Siria do të pajtohet që të mos vendosë asnjë makineri ose pajisje të rëndë afër kufirit izraelit, tha të martën emisari i posaçëm amerikan për Sirinë, Tom Barrack.

Duke folur me gazetarë në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork, emisari amerikan tha se kjo marrëveshje do të shërbejë si hap i parë drejt një pakti të sigurisë, për të cilin dy vendet kanë qenë duke negociuar, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Siria dhe Izraeli janë në bisedime për të arritur një marrëveshje me të cilën Damasku shpreson se do ta sigurojë ndaljen e sulmeve ajrore të Izraelit dhe tërheqjen e trupave izraelite, të cilat kanë hyrë në jug të Sirisë.

Presidenti amerikan, Donald Trump, kishte synuar që të siguronte një marrëveshje mes dy palëve që do të mund të njoftohej këtë javë, por nuk është bërë progres i mjaftueshëm deri më tani dhe Viti i Ri Hebraik, Rosh Hashana, që shënohet këtë javë, e ka ngadalësuar procesin, tha emisari Barrack.

Izraeli dhe Siria kanë qenë armiq në Lindjen e Mesme me dekada. Pavarësisht nga rrëzimi prej pushtetit i ish-presidentit sirian, Bashar al-Assad, në dhjetorin e vitit të kaluar, mosmarrëveshjet territoriale dhe mosbesimi i thellë politik mes dy vendeve vazhdojnë.

Izraeli ka shprehur qëndrime armiqësore ndaj Qeverisë së re të Sirisë që drejtohet nga islamistët, duke i përmendur lidhjet e dikurshme xhihadiste të presidentit të ri, Ahmed al-Sharaa, dhe ka lobuar që Uashingtoni ta mbajë këtë shtet të dobët dhe të decentralizuar.

Pas disa muajve të shkeljes së zonës së demilitarizuar, Izraeli më 8 dhjetor e braktisi marrëveshjen e armëpushimit të vitit 1974, pikërisht në ditën kur Assadi u rrëzua përmes ofensivës së rebelëve. Ushtria izraelite sulmoi asete ushtarake siriane dhe dërgoi trupa në afërsi deri në 20 kilometra nga Damasku.

Prej atëherë, Izraeli ka kryer më shumë se 1.000 sulme ndaj Sirisë si dhe mbi 400 operacione tokësore, tha javën e kaluar presidenti sirian./Nacionale

Lajme të ngjashme