Sipas një studimi, virusi që e vret kancerin jep shpresë për pacientët – një u shërua
Një lloj i ri i terapisë kundër kancerit, gjatë së cilës përdoret një virus i rëndomtë për t’i infektuar dhe shkatërruar qelizat e dëmshme, po jep shpresë të madhe në testimet e hershme në njerëz, thonë shkencëtarët britanikë.
Kanceri te një pacient u zhduk, ndërsa te të tjerët, tumoret u tkurrën, raporton televizioni BBC, përcjell Nacionale.
Ilaçi është formë e dobësuar e virusit të plagëve të ftohta – herpes simplex – që është modifikuar për t’i vrarë tumoret.
Do të nevojiten studime më të mëdha e më të gjata, por ekspertët thonë se injektimi mund të ofrojë përfundimisht një linjë shpëtimi për më shumë njerëz me kancer të avancuar.
Krzysztof Wojkowski, ndërtues 39-vjeçar nga Londra perëndimore, është njëri nga pacientët që mori pjesë në fazën e parë të testimit të sigurisë, të kryer nga Instituti për Studimin e Kancerit në Fondacionin Mbretëror “Marsden NHS”.
Ai ishte diagnostikuar me kancer në gjëndrat pështymore, afër gojës, në vitin 2017. Pavarësisht nga futja në operacion dhe marrja e trajtimeve të tjera, kanceri i tij kishte vazhduar që të rritej.
“M’u tha se nuk kanë mbetur opsione për mua dhe po e merrja kujdesin e fundit të jetës. Ishte shkatërruese, prandaj ishte e pabesueshme që m’u dha mundësia për t’iu bashkuar testimit”, tha ai.

Një trajtim i shkurtër me virusin e rëndomtë – që është version i modifikuar posaçërisht i virusit herpes, që zakonisht shkakton plagë të ftohta – duket se ia ka larguar kancerin burrit nga Londra.
“Kam marrë injeksione çdo dy javë për pesë javë, që e zhdukën plotësisht kancerin tim. Jam pa kancer tash e dy vjet”, shtoi Wojkowski.
Injeksionet, që jepen drejtpërdrejt në tumor, e sulmojnë kancerin në dy mënyra – duke u futur në qelizat kancerogjene dhe duke i bërë që të pëlcasin dhe duke e aktivizuar sistemin imunitar.
Rreth 40 pacientë e kanë provuar trajtimin si pjesë e testimit. Disave iu dha vaksina me virus, e quajtur RP2, pa ilaçe të tjera. Të tjerëve iu dha edhe një ilaç tjetër kundër kancerit, i quajtur Nivolumab.
Rezultatet e studimit, të publikuara në një konferencë mjekësore në Paris, tregojnë se:
Tre nga nëntë pacientë që e kanë marrë vetëm vaksinën RP2, përfshirë ndërtuesin 39-vjeçar, patën tkurrje të kancerit.
Shtatë nga 30 pacientët që morën trajtim të kombinuar, duket se gjithashtu përfituan prej tij.
Efektet anësore, si lodhja, ishin përgjithësisht të lehta.
Shkencëtari udhëheqës, prof. Kevin Harrington, i tha televizionit BBC se reagimet e para ndaj trajtimit ishin “vërtet mbresëlënëse” në një varg kanceresh të avancuara, përfshirë kancerin e gurmazit dhe një lloj të rrallë të kancerit të syrit.
“Është e rrallë që të shihen shkallë të tilla të mira të reagimit në fazat e hershme të testimeve klinike, pasi qëllimi parësor i tyre është që ta testojnë sigurinë e trajtimit dhe në to përfshihen pacientë me kancere shumë të avancuara për të cilët trajtimet e tanishme nuk janë duke funksionuar më”, tha ai.
Kjo nuk është hera e parë që shkencëtarët kanë përdorur një virus për ta luftuar kancerin. Disa vjet më parë, sistemi shëndetësor britanik, NHS, miratoi një terapi të mbështetur në virus të ftohtë, të quajtur “T-Vec”, për kancerin e avancuar të lëkurës.
Profesori Harrington e quajti terapinë RP2 version të përforcuar të terapisë “T-Vec”.
“Terapia ka pasur modifikime të tjera ndaj virusit në mënyrë që, kur të futet në qelizat e kancerit, ta japë në mënyrë efektive sinjalin për vdekjen e tyre”, tha ai.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli


