Sindikata më e madhe industriale në Gjermani kërkon rritje pagash për miliona punëtorë
Sindikata më e madhe e punëtorëve industrialë në Gjermani tha të hënën se do të kërkojë rritje pagash për 7 për qind për miliona punëtorë gjatë bisedimeve që do të nisin më vonë këtë vit, duke argumentuar se kompanitë, përfshirë prodhuesit e veturave dhe prodhuesit e makinerisë janë në pozitë për ta përballuar këtë ngritje.
Udhëheqësia e sindikatës “IG Metall” tha se do të rekomandojë rritje të majmë për 3,9 milionë punëtorë për shkak të “nivelit vazhdimisht të lartë të çmimeve”. Kjo sindikatë tha se kompanitë kanë lista të mbushura mirë me porosi dhe se, edhe pse çmimet nuk po përshpejtohen më si më parë, pagesat e njëhershme, për të cilat ishte arritur marrëveshje vitin e kaluar, janë gëlltitur nga inflacioni, raporton agjencia “Associated Press”.
Në rundin e fundit të bisedimeve për paga, sindikata “IG Metall” dhe punëdhënësit ishin pajtuar në fund të vitit 2022 për rritje me gjithsej 8,5 për qind për dy vjet si dhe për pagesa të njëhershme me shumë të përgjithshme prej tre mijë eurosh për secilin për ta luftuar efektin e inflacionit të lartë. Qeveria, që donte ta adresonte ndikimin e çmimeve të ngritura duke parandaluar njëkohësisht një spirale inflacioni, ishte e gatshme për të promovuar pagesa të tilla pa taksa.
Kësaj radhe, sindikata kërkoi marrëveshje njëvjeçare me 7 për qind rritje të pagës. Sindikata tha se kupton që disa kompani janë në gjendje të paqëndrueshme, por argumentoi se kjo nuk i dobëson qëndrueshmërinë e përgjithshme të industrisë dhe perspektivën e përmirësuar ekonomike.
Në Gjermani, marrëveshjet për paga zakonisht hartohen në bisedime mes organizatave të punëdhënësve dhe sindikatave të punëtorëve që mbulojnë një sektor të plotë dhe një marrëveshje e arritur në një rajon zbatohet përgjithësisht në mbarë vendin. Marrëveshja e tanishme e sindikatës “IG Metall” skadon në fund të shtatorit.
Shkalla vjetore e inflacionit në maj në Gjermani ishte 2,4 për qind, dukshëm më e ulët se gati 9 për qind sa ishte në fillim të vitit të kaluar.
Sidoqoftë, ekonomia më e madhe e Evropës është ballafaquar me vështirësi për të arritur rritje. Punëdhënësit kanë argumentuar se gjendja ekonomike nuk lejon rritje të madhe të pagave./Nacionale