Siguria për Trumpin ishte forcuar disa javë më parë – një shtet kishte plan për ta vrarë
Mbrojtja për ish-presidentin Donald Trump ishte shtuar para disa javëve, pasi autoritetet amerikane kishin marrë vesh për një komplot iranian për ta vrarë atë, sipas zyrtarëve të sigurisë kombëtare.
Zyrtarët thanë se nuk ka asnjë lidhje të njohur mes komplotit të pretenduar iranian dhe atentatit ndaj ish-presidentit të shtunën në Pensilvani, raporton televizioni BBC.
Megjithatë, lajmi që siguria ishte shtuar ngre pyetje të tjera se si sulmuesi 20-vjeçar, Thomas Crooks, ishte në gjendje që të ngjitej mbi një ndërtesë dhe të afrohej mjaftueshëm për ta qëlluar Trumpin.
Shërbimi Sekret i ShBA-së dhe zyrtarë të fushatës së Trumpit ishin të njoftuar për rrezikun iranian dhe, si rezultat, masat e sigurisë ishin shtuar, sipas një zyrtari amerikan për siguri kombëtare.
Burimet e inteligjencës i thanë televizionit CBS se Shërbimi Sekret e kishte fuqizuar sigurinë në qershor si kundërpërgjigje ndaj rrezikut iranian. Këtu u përfshinë agjentët shtesë kundërsulmues dhe snajperët kundërsulmues, dronët, e qentë robotikë.
CBS-ja raportoi se hollësitë e një operacioni të mundshëm iranian ishin siguruar përmes “inteligjencës me burim njerëzor”.
Trumpi dhe zyrtarë të tjerë, përfshirë ish-sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, janë ballafaquar me kërcënime nga Teherani që nga dhënia e urdhrit për vrasjen e Qassim Soleimanit, komandant i forcave Kuds, në Irak më 2020.
Misioni iranian në Kombe të Bashkuara e quajti raportin “të paargumentuar dhe keqdashës”, duke shtuar se Trumpi është “një kriminel që duhet të ndiqet penalisht dhe të ndëshkohet në një gjykatë të drejtësisë”.
Anthony Guglielmi, zëdhënës i Shërbimit Sekret të ShBA-së, tha se ky institucion dhe agjenci të tjera ishin “vazhdimisht duke pranuar të dhëna të reja për rrezik të mundshëm dhe duke ndërmarrë veprime për t’i përshtatur burimet, sipas nevojës”.
“Ne nuk mund të komentojmë për ndonjë rrjedhë specifike të rrezikut, përpos që të themi se Shërbimi Sekret i merr kërcënimet seriozisht dhe kundërpërgjigjet sipas rrethanave” – shtoi ai.
Zyrtarë të fushatës së Trumpit thanë se nuk komentojnë çështje të sigurisë dhe ia drejtuan pyetjet e BBC-së Shërbimit Sekret të ShBA-së.
Adrienne Watson, zëdhënëse e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, tha se zyrtarë amerikanë të sigurisë kishin qenë “duke përcjellë kërcënime iraniane kundër zyrtarë të ish-administratës së Trumpit me vite”.
“Këto kërcënime vijnë nga dëshira e Iranit për të kërkuar hakmarrje për vrasjen e Soleimanit. Ne e konsiderojmë këtë si çështje të sigurisë kombëtare dhe të atdheut me prioritetin më të lartë” – shtoi ajo./Nacionale