Si po informohen rusët për luftën në Ukrainë? - NACIONALE

Si po informohen rusët për luftën në Ukrainë?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Situata në mediat ruse që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës është komplikuar shumë. Kufizimet në raportim janë gjithnjë e më të rënda dhe qasja në pothuajse të gjitha mediat e pavarura është e bllokuar ose e kufizuar.

Përkundër kësaj, ka ende mundësi që të merren informacione të pacensuruara në Rusi.

Për shumicën e rusëve, televizioni mbetet burimi kryesor i lajmeve, kanali kontrollohet fort nga Kremlini dhe pompon propagandë të pamëshirshme të luftës – duke thënë se ukrainasit po granatojnë qytetet e tyre dhe trupat ruse paraqiten si çlirimtare.

Fakti që shumica e rusëve janë të prirur për të dëgjuar lajmet televizive do të thotë se ata dëgjojnë mesazhin e Kremlinit – ndoshta edhe e besojnë atë.

Edhe pse ka shumë larmi opinionesh në shtyp, shumica mbajnë qëndrim të lidhur me Kremlinin. Gazeta Novaya Gazeta, një media e pavarur për 29 vite radhazi, pasi mori disa paralajmërime nga mbikëqyrësi rus i medias Roskomnadzo, pezulloi funksionimin më 28 mars.

Sa i përket internetit, shumica e faqeve të lajmeve të pavarura janë të bllokuara ose të kufizuara – ashtu siç janë Facebooku, Instagrami dhe Twitteri.

Megjithatë, për ata që janë të zgjuar dhe duan të hulumtojnë më shumë, ekziston mundësia e kyçjes në rrjete private virtuale (VPN), të cilat ndihmojnë për të anashkaluar kufizimet.

VPN, nuk është ende e jashtligjshme në Rusi, dhe ka miliona rusë që e përdorin për të hyrë në informacione të pacensuruara.

Gjithsesi, raportimi për luftën është një çështje tjetër. Në fillim të marsit, Rusia miratoi një ligj sipas të cilit publikimi i "informacioneve të rreme" për atë që po bën ushtria ruse dënohet me deri në 15 vjet burg.

Në praktikë, kjo do të thotë ndëshkim për raportimin e çdo gjëje që sfidon narrativat e Kremlinit për luftën në Ukrainë. Madje mediave u ndalohet ta quajnë atë "luftë"- është menduar të quhet "operacion ushtarak special".

Si rezultat i kësaj, disa nga pak media të pavarura që kanë mbetur në Rusi kanë filluar të censurojnë veten.

Për shembull, Novaya Gazeta fshiu posterin kundër luftës të mbajtur nga një protestuese që ndërpreu një edicion të drejtpërdrejtë lajmesh në TV shtetëror rus.

Megjithatë, BBC shkruan se, ka ende media të pavarura ruse që vazhdojnë të sfidojnë kufizimet e qeverisë. Ndër mediat më të spikatura janë faqet e internetit Meduza dhe Mediazona - të dyja janë bllokuar në Rusi dhe janë etiketuar si "agjentë të huaj" nga qeveria ruse, gjithsesi të dy faqet vazhdojnë të funksionojnë nga jashtë shtetit.

Lajme të ngjashme