Si po i vjedh Rusia farat e lulediellit të Ukrainës? - NACIONALE

Si po i vjedh Rusia farat e lulediellit të Ukrainës?

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Një hetim i ri i publikuar nga BBC, thotë se Rusia nuk është mjaftuar vetëm më vjedhjen sistematike të drithërave ukrainase nga zonat e okupuara të Ukrainës, por ka vazhduar edhe me vjedhje të farave të lulediellit nga fermerët vendas.

Artikulli shkruan se gazetarët e BBC-së, kanë folur me fermerë që kanë humbur të korrat e tyre dhe kanë gjurmuar mesazhe në grupe private dhe publike të mediave sociale ku flitet për mënyrën e transportimit të farave nga territoret e okupuara të Ukrainës në Rusi.

Kujtojmë se, të dyja vendet në vitin 2021 ishin eksportuesit më të mëdhenj në botë të vajit të lulediellit. Me Ukrainën që ka shitur 5.1 milion ton vaj dhe Rusia 3.1 milion.

E tani duket se vaji rus qenka duke u prodhuar pjesërisht edhe nga farat ukrainase – një nga simbolet e bujqësisë së vendit.

BBC ka siguruar qasje edhe në një bisedë të një grupi në WhatsApp, ku ishin rreth 500 pjesëmarrës që bënin porosi për të transportur farat e Ukrainës. E më pas ka kontrolluar dhjetëra numra telefoni nga grupi, dhe ka zbuluar se shumica u përkisnin shoferëve të kamionëve ose pronarëve të bizneseve që kishin lidhje me mallrat.

Yelena, një ruse që po kërkonte kamionë për të transportuar të korrat nga Ukraina juglindore, u shpreh se "farat nuk ishin vjedhur".

"Ato kontrollohen nga administrata ushtarako-civile (e imponuar nga Rusia). Këto transaksione janë transparente. Farat janë blerë ligjërisht," ka thënë ajo.

Ndërkohë, fermerët më të cilët ka folur BBC, kanë thënë se ata po plaçkiten.

“Ne kishim 1200 ton fara luledielli dhe 860 ton grurë në magazinën tonë”, është shprehur një nga fermerët, duke shtuar se, “rusët plaçkitën gjithçka. Në fillim ata u përpoqën të ishin të sjellshëm me rojet tona. Ata thanë: nuk jemi ne, është urdhri i dhënë nga komandanti ynë. Por nuk ishte e qartë se ku ishte komandanti i tyre. Ata thjesht u shtirën si të mirë, e më pas i ngarkuan gjithë të korrat dhe i morën duke e rrahur edhe rojën.”

Fermeri tha se të korrat e tij ishin me vlerë 700,000 euro, ndërkohë që ka treguar se ka humbur edhe pajisje me vlerë gati 1.5milion euro.

Produkti kryesor i prodhuar nga farat e lulediellit është vaji. Ndërsa, të gjitha mesazhet dhe reklamat e para nga BBC në mediat sociale treguan se destinacioni për kamionët që transportonin fara ukrainase ishin fabrikat e nxjerrjes së naftës në Rusi.

Lidhur me këtë çështje ka folur edhe kreu i Shoqatës së Fermerëve në rajonin e Zaporizhzhia, Valeriya Matviyenko, i cili ka njoftuar se fabrika e nxjerrjes së naftës në Melitopolin e pushtuar është duke u përdorur për të prodhuar vaj luledielli, i cili më pas transportohet në Rusi përmes Krimesë.

Lajme të ngjashme