“Si për presidentët e ShBA-së”: Masa të rrepta sigurie para vizitës së Erdoganit në Berlin - NACIONALE

“Si për presidentët e ShBA-së”: Masa të rrepta sigurie para vizitës së Erdoganit në Berlin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Pa fjalime para turmave entuziaste. Pa paraqitje të përbashkëta publike mes udhëheqësve. Shikimi i përbashkët i ndeshjes futbollistike Gjermani – Turqi, për të cilën u përfol, në fund nuk do të ndodhë.

Për një vizitë shtetërore, shkuarja e presidentit turk, Rexhep Erdogan, në Gjermani është befasisht e nivelit të ulët. Ai do të takohet me presidentin gjerman, Frank-Walter Steinmeier, dhe pastaj do të hajë darkë me kancelarin Olaf Scholz, raporton televizioni BBC.

Dy takime prapa dyerve të mbyllura dhe një darkë private zor se flasin për interesim të madh, thekson televizioni britanik.

Përpos sigurisë së lartë në qendër të kryeqytetit – niveli i njëjtë si masat e ndërmarra para vizitave të presidentëve të ShBA-së – Qeveria e Gjermanisë shpreson se vizita e Erdoganit do të kalojë me pak vëmendje.

Kjo po ndodh për shkak se vizita nuk mund të vinte në kohë më të keqe për Gjermaninë.

Marrëdhëniet mes Erdoganit dhe qeverive të njëpasnjëshme gjermane kanë qenë të vështira ndër vite dhe përplasjet mes Berlinit e Ankarasë kanë shpërthyer rregullisht. Kur zëdhënësit e Qeverisë Gjermane e përmendin frazën “partner i vështirë”, dihet që po flasin për Erdoganin.

Megjithatë, mizoritë e Hamasit në Izrael më 7 tetor dhe hakmarrja pasuese e Izraelit në Gaza i kanë vënë Gjermaninë e Turqinë në anë të kundërta të konfliktit.

Gjatë muajit të kaluar, presidenti turk është bërë gjithnjë më i ashpër në kritikat e tij ndaj Izraelit.

Ai ka refuzuar që t’i dënojë vrasjet dhe rrëmbimin e pengjeve nga Hamasi, duke i cilësuar “çlirimtarë” anëtarët e tij. Megjithatë, Hamasi cilësohet grup terrorist nga aleatët perëndimorë, përfshirë Gjermaninë.

Erdogani gjithashtu dukej se e kishte vënë në pikëpyetje ekzistencën e shtetit izraelit, duke thënë se “fashizmi i tij” e minon trashëgiminë e vendit.

Udhëheqësit hebraikë në Gjermani e kanë akuzuar Erdoganin për nxitje të antisemitizmit me komente të tilla dhe ka pasur thirrje që Qeveria e Gjermanisë ta anulojë vizitën e presidentit turk në Berlin.

Për Gjermaninë, faji historik i nazistëve për Holokaustin nënkupton që përkrahja për Izraelin është e panegociueshme dhe shtyllë kyçe e politikës së jashtme të Berlinit. Kur u pyet në një konferencë për gazetarë këtë javë për komentet e Erdoganit, kancelari Scholz i quajti “absurde” ato.

Sidoqoftë, zemërimi për veprimet e Izraelit është duke u shtuar rrugëve të Gjermanisë dhe protesta pro-palestineze janë mbajtur në shumicën e fundjavëve nga 7 tetori. Gjermania ka diasporë të madhe arabe me lidhje ose me dhimbje për popullin e Gazës. Mbështetja për palestinezët është gjithashtu tradicionalisht çështje e shenjtë për disa grupe gjermane të së majtës.

Ka frikë se çfarëdo komenti nga Erdogani për konfliktin Izrael – Hamas gjatë vizitës së tij në Gjermani mund të ndezë tensione.

Megjithatë, Gjermania e Turqia kanë nevojë për njëra-tjetrën. Gjermania është partnere e rëndësishme tregtare për Turqinë. Ky shtet është gjithashtu vendbanim i diasporës më të madhe turke në botë dhe fushëbetejë zgjedhore për Erdoganin. Ai është i popullarizuar në mesin e disa gjermano-turqve.

Rreth tre milionë njerëz me prejardhje turke jetojnë në Gjermani dhe gjysma e tyre kanë të drejtë vote. Në maj, shumica e votuesve turq në Gjermani, që morën pjesë në zgjedhjet e atdheut të tyre, votuan për Erdoganin.

Berlini, në anën tjetër, ka nevojë për ndihmën turke për ta kontrolluar migrimin nga Lindja e Mesme. Kancelari Scholz po shpreson që të ringjallë një pakt për refugjatët me Turqinë për t’i kthyer azilkërkuesit dhe dëshiron më shumë mbështetje nga Turqia për Perëndimin rreth luftës së Rusisë në Ukrainë.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme