Erdogani e quan Izraelin shtet terrorist, e sfidon Netanyahun: Shpjegoje, nëse ke guxim
Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, i ashpërsoi edhe më fort të mërkurën kritikat ndaj Izraelit, duke e quajtur shtet terrorist dhe duke pretenduar se qëllimi i këtij vendi është zhdukja e popullsisë së Gazës.
Gjatë një fjalimi në Kuvendin e Madh Kombëtar të Turqisë, Erdogani u zotua se do t’i paraqesë udhëheqësit politikë e ushtarakë të Izraelit në gjykata ndërkombëtare, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Duke vlerësuar se Izraeli “merr përkrahje të plotë nga ShBA-ja dhe Perëndimi” për të “kryer krime lufte”, Erdogani tha para deputetëve turq se “qeveria izraelite ka qenë duke kryer vazhdimisht krime lufte gjatë 40 ditëve të fundit, po bombardojnë spitale, rrugë e xhami, dhe po i shënjestrojnë të gjitha këto vende qëllimisht, duke zbatuar një strategji të shkatërrimit total të qytetit dhe të popullit të tij”.
“Do të doja që të flas shumë troç. Izraeli është shtet terrorist”- shtoi presidenti turk, duke marrë duartrokitje të fuqishme. “Ata e cilësojnë Hamasin organizatë terroriste, por Hamasi është parti politike që e fitoi votën kolektive në Palestinë dhe pasi i fituan zgjedhjet, ju ua keni rrëmbyer e uzurpuar të drejtat e tyre. Izraeli dhe ShBA-ja i kanë rrëmbyer ato të drejta”- tha më tej Erdogani.
Ai e ktheu vëmendjen te numri i viktimave që është raportuar nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, që menaxhohet nga Hamasi. Kjo ministri ka raportuar për mbi 11 mijë njerëz të vrarë deri më tani në luftë.
“Dy të tretat e 12 mijë njerëzve që janë vrarë nga Izraeli në Gaza jan gra dhe fëmijë. Izraeli është duke e kryer sulmin më të neveritshëm kundër grave dhe fëmijëve në tërë historinë. Edhe lufta ka limite, kufij e moral. Rregulla e parë e luftës është që të mos lëndohen gra, fëmijë e pacientë mjekësorë”- shtoi Erdogani, duke e akuzuar izraelin se qëllimisht po lë foshnja që të vdesin pa ushqim ose karburant në spitale.
Duke iu drejtuar komenteve të një ministri izraelit para disa ditëve, i cili la të kuptohej se Izraeli do të mund të përdorte armë bërthamore në Gaza, Erdogani e përmendi me emër kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
“Ata [Izraeli] kanë qenë duke folur për vrasjen e tërë atyre njerëzve duke përdorur armë bërthamore, prandaj më lejoni që t’i drejtohem Benjamin Netanyahu: a ke armë bërthamore apo jo? Shpjegoje këtë, nëse ke guxim”- shtoi presidenti turk.
“Po i kërcënon njerëzit me bomba atomike, bomba bërthamore. Nuk ka rëndësi se çka ke, je njeri i mbaruar”- tha Erdogani.
