Erdogani e mbron prapë Hamasin në Riad: S’mund t’i vëmë në kategori me pushtuesit
Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, tha të shtunën se duhet të organizohet një konferencë ndërkombëtare e paqes për të gjetur një zgjidhje të përhershme për konfliktin mes Izraelit dhe palestinezëve.
Erdogani foli në samitin e përbashkët islamiko-arab, që po mbahet të shtunën në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad, dhe ku po i bëhet thirrje Izraelit që t’u japë fund veprimeve armiqësore në Gaza, raporton agjencia “Reuters”.
“Izraeli po merr hak.. në foshnja, fëmijë e gra të Gazës. Çfarë është urgjente në Gaza nuk janë pauzat për pak orë. Më tepër kemi nevojë për një armëpushim të përhershëm”- tha presidenti turk, duke e përsëritur thirrjen e tij për armëpushim të menjëhershëm.
“Nuk mund t’i vëmë rezistuesit e Hamasit, që po e mbrojnë atdheun e tyre, në kategorinë e njëjtë si pushtuesit”- shtoi ai.
Sipas Erdoganit, zgjidhja e përhershme e konfliktit mes Izraelit e palestinezëve varet nga formimi i një shteti palestinez sipas kufijve të vitit 1967.
“Ne besojmë se një konferencë ndërkombëtare e paqes do ta ofrojë bazën më të përshtatshme për këtë. Ne jemi të gatshëm për t’i bërë përpjekjet e nevojshme, përfshirë rolin e garantuesit, për ta ruajtur vendosjen e paqes në këtë kontekst”- shtoi ai.
Presidenti turk tha më tej se komentet e ministrit izraelit të Trashëgimisë, Amihay Eliyahu, për idenë që Izraeli të kryejë një sulm bërthamor në Gaza e kanë zbuluar ekzistencën e armëve bërthamore të këtij shteti.
“Nëse ka bomba bërthamore që janë fshehur nga ekzaminimi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, edhe ato duhet të zbulohen”- tha Erdogani.
Izraeli nuk pranon publikisht se ka armë bërthamore, por Federata e Shkencëtarëve Amerikanë vlerëson se ky shtet ka rreth 90 koka bërthamore.
