Erdogani: Hamasi është grup çlirimtar, Netanyahu e keqpërdori vullnetin tonë të mirë - NACIONALE

Erdogani: Hamasi është grup çlirimtar, Netanyahu e keqpërdori vullnetin tonë të mirë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, ka thënë se Hamasi nuk është organizatë terroriste, por “grup çlirimtar” që po mundohet t’i mbrojë tokat e qytetarët e vet.

Në një fjalim para deputetëve të partisë së tij të mërkurën, Erdogani tha se i kishte anuluar planet për ta vizituar Izraelin si pjesë e politikës së vendit të tij për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin, duke shtuar se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e kishte “keqpërdorur vullnetin tonë të mirë”, raporton agjencia “Associated Press”.

Duke e ngritur tonin kundër Izraelit, Erdogani i përshkroi veprimet e këtij shteti në Gaza si ndër “më të përgjakshmet, më të neveritshmet dhe sulmi më i egër në histori”.

“Ne nuk kemi problem me shtetin izraelit, por ne kurrë nuk i kemi pranuar dhe kurrë nuk do t’i pranojmë mizoritë e kryera nga Izraeli dhe faktin se ai vepron si organizatë më shumë sesa si shtet”- tha presidenti turk.

Ai bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm, për lejimin e dërgimit të ndihmave humanitare në Gaza dhe për fillimin e bisedimeve për lirimin e pengjeve.

Erdogani gjithashtu la të kuptohej se e dëshiron organizimin e një konference ndërkombëtare të paqes për Izraelin dhe palestinezët.

“Të gjitha palët duhet ta largojnë gishtin nga këmbëza, duhet të shpallet një armëpushim”- shtoi presidenti turk.

Lajme të ngjashme