Si do të duket politika e jashtme britanike në pushtetin e laburistëve?
Muaji i parë i udhëheqësisë së laburistit Keir Starmer do të jetë një shakullinë e diplomacisë ndërkombëtare, përfshirë takimet me presidentin amerikan, Joe Biden, dhe udhëheqës evropianë.
Hapat e tij të parë në skenën botërore do t’i bëjë vetëm pas pak ditëve, në samitin e 75-të vjetor të NATO-s në Uashington javën e ardhshme, nga e marta deri të enjten, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Starmeri më pas do të jetë nikoqir në Pallatin “Blenheim”, afër Oksfordit, më 18 korrik, në një takim të Komunitetit Politik Evropian, ku pritet të marrin pjesë presidenti francez, Emmanuel Macron, e kancelari gjerman, Olaf Scholz.
Laburistët, jashtë pushtetit që nga viti 2010, janë zotuar për politikë të jashtme të “realizmit progresiv”, duke parë një botë të paqëndrueshme “ashtu si është, jo ashtu si do të donim ne që të ishte”, tha David Lammy, që pritet të bëhet sekretar i Jashtëm.
Partia majtiste gjithashtu është zotuar që ta bëjë “Brexit-in që të funksionojë” dhe se do të kërkojë pakt “ambicioz” të sigurisë me Bashkimin Evropian.
Si mund t’u qaset qeveria e re laburistë çështjeve ndërkombëtare?
Kina
Këtë javë, Lammy iu tha gazetarëve se laburistët do të bëjnë një “auditim të plotë” në të gjitha departamentet qeveritare për marrëdhëniet me Kinën “për t’i caktuar drejtimin dhe rrjedhën” e politikës së tyre për fuqinë aziatike.
Starmeri vitin e kaluar tha se Britania kishte nevojë që “të distancohet” nga Kina për çështje si tregtia dhe teknologjia, por e kishte pranuar rëndësinë e aftësisë për të bashkëpunuar në çështje si luftimi i ndryshimeve klimatike.
Sfidë do të jetë baraspeshimi i interesave tregtare e ekonomike të Britanisë me masat thelbësore të sigurisë.
Kjo mund të ndërlikohet nga kthimi i mundshëm i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë pas zgjedhjeve të nëntorit në ShBA. Do të pritej që Trumpi t’u bënte më shumë trysni aleatëve për të marrë pozicione më të rrepta ndaj Pekinit.
Konflikti izraelito-palestinez
Laburistët thonë se janë të përkushtuar për njohjen e një shteti palestinez “si kontribut për një proces të përtërirë të paqes që rezulton në një zgjidhje me dy shtete”, por ende nuk kanë caktuar ndonjë afat për këtë lëvizje.
Në mesin e zotimeve të tjera përfshihen përpjekjet për të siguruar një armëpushim të menjëhershëm mes Izraelit e Hamasit, lirimi i të gjitha pengjeve që po mbahen ende në Gaza dhe shtimi i ndihmave humanitare në enklavën palestineze.
Evropa
Starmeri është zotuar se do të punojë me partinë franceze të së djathtës ekstreme, Tubimi Kombëtar, nëse kjo vjen në pushtet.
“Unë do të punoj me secilën qeveri në Evropë dhe në mbarë botën, nëse zgjidhemi... Për mua, me këtë ka të bëjë qeveria serioze” – shtoi udhëheqësi i laburistëve.
Ai më tej tha se edhe marrëveshjet dypalëshe me Francën dhe marrëveshjet me tërë BE-në, nga e cila Britania me votë popullore u largua më 2016, duke çuar te një ndarje e çrregullt, janë të rëndësishme për ta adresuar çështjen e emigrantëve që po e kalojnë Kanalin Anglez me barka të vogla.
Starmeri tha se marrëveshjet ekzistuese me Francën duhet të fuqizohen dhe të përmirësohen “veçanërisht në lidhje me shtypjen e bandave që po e udhëheqin tregtinë e poshtë të vendosjes së njerëzve në barka”.
“Por janë edhe masat e BE-së. Marrëveshja e sigurisë që ne e duam me BE-në, kur bëhet fjalë për trajtimin e bandave të trafikimit, është vërtet e rëndësishme” – shtoi ai.
Ukraina
Mbretëria e Bashkuar ka qenë njëra nga mbështetëset më të vendosura të Kievit dhe i ka ofruar para, armë e trajnim të ushtarëve për ta ndihmuar kundër pushtimit rus.
Laburistët e kanë theksuar përkrahjen e vazhdueshme për Ukrainën në rast të ardhjes në pushtet dhe pritet që Starmeri të takohet së shpejti me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për ta ripohuar këtë porosi personalisht.
Starmeri ka thënë se një takim me presidentin rus, Vladimir Putin, “thjesht nuk është çështje” për momentin dhe e ka përshkruar atë si “agresori në Ukrainë”.
“Gjëja më e rëndësishme është që të jemi absolutisht të qartë se përkrahja jonë për Ukrainën është në një front të bashkuar në këtë shtet” – tha ai.
Shpenzimet në mbrojtje
Një rishikim strategjik i mbrojtjes do të kryhet brenda vitit të parë në pushtet për të përcaktuar një rrugë drejt rritjes së shpenzimeve në fushën e mbrojtjes në 2,5 për qind të prodhimit vendës bruto./Nacionale